Një donacion humanitar mjekësor nga Haga e Holandës ka arritur sot në Kosovë dhe nesër do t’i dorëzohet Klinikës Infektive në QKUK.
Këtë e ka bërë të ditur Ambasadori i Kosovës në Holandë, Lirim Greiçevci përmes një postimi në Facebook, ku ka thënë se ky donacion me materiale mjekësore është nisur për t’i zbutur sadopak nevojat urgjente të institucioneve shtetërore në Kosovë.
“Për t’i zbutur sadopak nevojat urgjente të institucioneve shëndetësore në Kosovë, në përballje me pandeminë COVID-19, Ambasada e Kosovës në Holandë ka organizuar nisjen e një donacioni me materiale mjekësore, me destinim QKUK-në në Prishtinë. Donacioni, pas shumë pengesave gjatë rrugës, ka mbërritur në Kosovë, dhe nesër do t’i dorëzohet Klinikës Infektive në Prishtinë”, ka shkruar ai.
Graiçevci tutje ka treguar se ky donacion përmban aparate dhe maska të oksigjenit, maska mbrojtëse kirurgjikale, shtretër për bartje të pacientëve, rroba mbrojtëse për infermiere, tubacione oksigjeni, dorëza mbrojtëse dhe kateterë.
“Me këtë rast, dëshiroj t’i falënderoj miqtë e Kosovës në Holandë, nga Ambulance voor Kosovo, për donacionin dhe kompaninë Mitrofresh për ndihmën për magazinimin e tyre. Një falënderim i veçantë shkon edhe për ekipin e Ambasadës së Kosovës në Hagë, për përkushtimin e tyre, si dhe për institucionet e Kosovës për kompletimin e shpejtë të dokumentacionit dhe dhënien e lejes për hyrjen e kontingjentit humanitar”, thuhet tutje në këtë njoftim.