Nga sot në Gjermani hyn në fuqi Ligji për Fuqinë Punëtore të Kualifikuar

Prishtinë | 01 Mar 2020 | 10:21 | Nga Ekonomia Online

Nga sot në Gjermani ka hyrë në fuqi Ligji për Fuqinë Punëtore të Kualifikuar, i cili rregullon në detaje ardhjen e tyre nga vendet jashtë Bashkimit Evropian.

Ligji i ri iu krijon mundësi të reja punonjësve me kualifikim të njohur në arsim profesional nga shtetet jo-anëtare të BE-së për të punuar në Gjermani.

Çfarë është ligji rreth imigrimit të fuqisë punëtore të kualifikuar dhe çfarë ka ndryshuar?

Ligji rreth imigrimit të fuqisë punëtore të kualifikuar u mundëson punonjësve të kualifikuar në arsim profesional nga shtete jashtë Bashkimit Evropian (Shtete të Treta) të emigrojnë më lehtë në të ardhmen në drejtim të Gjermanisë. Përcaktimet ligjore ekzistuese për punonjës të kualifikuar me diplomë të shkollës së lartë/universitare vazhdojnë të mbeten të vlefshme. Gjithsesi për hyrjen në Gjermani me qëllim nisjen e një marrëdhënieje punësimi apo kërkimin e një vendi pune do të vazhdojë të jetë e nevojshme pajisja me vizë, për të cilën duhet të aplikoni pranë Ambasadës Gjermane.

Për punëkërkuesit me kualifikim të pamjaftueshëm, ose kualifikim profesional që nuk njihet në Gjermani, vlejnë edhe më tej rregullat e deritanishme.

Kush konsiderohet si fuqi punëtore e kualifikuar sipas ligjit të ri?

Si fuqi punëtore e kualifikuar konsiderohen të diplomuarit në universitete si dhe personat me një kualifikim në arsimin profesional që njihet në Gjermani. Një diplomë profesionale konsiderohet zakonisht si e kualifikuar dhe njihet, nëse në Gjermani ajo do të merrej pas një periudhe së paku dy-vjeçare të arsimit profesional.

Çfarë nevojitet për të parashtruar kërkesën për një vize për nisje të punësimit si punonjës i kualifikuar në Gjermani?

Së pari duhet të njihet kualifikimi dhe më pastaj të parashtrohet kërkesa për vizë. E rëndësishme është që ju fillimisht të bëni njohjen zyrtare të kualifikimit tuaj të huaj nga autoritetet përgjegjëse në Gjermani. Informacione të mëtejshme rreth procedures së njohjes së diplomës i gjeni në linkun: www.anerkennung-in-deutschland.de . Punëkërkuesit e kualifikuar duhet të fillojnë këtë procedurë me kohë. Këtë mund ta bëjnë edhe para hyrjes në fuqi të rregullave të reja, në mars të vitit 2020.

Sapo të merrni vendimin për njohjen e kualifikimit dhe të keni një ofertë konkrete për një vend pune në Gjermani, mund të aplikoni për vizë për të çunuar në Gjermani në atë profesion për të cilën jeni kualifikuar. Duhet të jetë angazhim i kualifikuar, ndërsa veprimtaritë ndihmëse, apo me qëllim të mësimit të profesionit janë shprehimisht të përjashtuara.

Nëse keni një diplomë të kualifikimit profesional së paku dy-vjeçare, apo diplomë universitare të lëshuar nga një shkolle/universitet gjerman, atëherë nuk është e nevojshme nisja e procedurës për njohjen e diplomës.

Më poshtë mund ta ndiqni intervistën e plotë të ambasadorit Gjerman në Kosovë, Chrsitian Heldt, i cili jep më shumë detaje rreth ligjit në fjalë.Klan.Kosova.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme