“Ngacmimi seksual në vendin e punës në Kosovë” ishte tema e diskutimit në kuadër të 16 ditëve të aktivizmit “Të mos e lëmë askënd prapa: Ndal dhunën ndaj grave dhe vajzave”. Ky diskutim u organizua nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGj).
Zana Idrizi nga “Girls Coding Kosova”, tha se duke pasur parasysh që numri i raportimit të ngacmimeve seksuale ka qenë shumë i vogël, atëherë ka lindur ideja e krijimit të aplikacionit “Ec Shlirë”, përmes së cilit deri më tani janë raportuar 415 raste të ngacmimeve seksuale në punë.
Prej tyre, 279 janë gra, ndërsa 78 janë burra, ndërsa pjesa tjetër janë persona të cilët kanë zgjedhur të mos identifikohen, tregoi Idrizi.
Ajo tha që tani janë duke punuar edhe në vendosjen e një bashkëpunimi me Policinë e Kosovës, për t’i hetuar këto raste. Deri më tani nga kjo organizatë janë trajnuar disa policë lidhur me atë se si përdoret “Ec Shlirë”.
Ndërsa, Jeta Berisha nga organizata “Art Polis” tha se arti është një mënyrë shumë e mirë e kundërshtimit të ngacmimit seksual.
Ajo tha se një ndikim në luftimin e këtij fenomeni kanë edhe mediet. “Është një temë shumë e ndjeshme që deri vonë ka qenë temë tabu. Janë veç dy ligje që i kanë disa nene që e specifikojnë ngacmimin seksual”.
“Ngacmimi seksual përkufizohet si sjellje e padëshirueshme ngacmimi. Përmes artit është një revoltë goxha e mirë e ndryshimit të këtij fenomeni. Mediet janë shtytje që fenomenet negative me u luftu”, u shpreh Berisha.
E Gresa Rrahmani, nga Rrjeti i Grave të Kosovës, tha se 60 për qind e grave dhe vajzave në Kosovë deklarojnë se kanë përjetuar ngacmim seksual së paku një herë në jetë.
“60 për qind e grave dhe vajzave në Kosovë kanë përjetu ngacmim seksual, krahasuar me 30 për qind e burrave “.
“Ne jemi mësu me dëgju që legjislacionin e kemi mjaft të mirë, por ai nuk zbatohet”, tha Rrahmani.
Deri më tani nuk është raportuar asnjë rast i dënimit të ndokujt për ngacmim seksual.
“Ekzistojnë faktorë të ndryshëm, duke u nisur nga fakti që vetë viktimat nuk janë të vetëdijshme se ngacmimi nuk është një gjë e mirë. Një problem tjetër janë edhe procedurat e raportimit që e komplikojnë edhe më shumë punën”, u shpreh Rrahmani.
Javën tjetër Qendra Kosovare për Studime Gjinore do të mbaj një konferencë për të prezantuar rekomandimet e kësaj të fundit se si të trajtohet ngacmimi seksual.