Ngjarjet e 6 janarit, Departamenti i Drejtësisë publikon pamje të reja të sulmit ndaj policisë

Prishtinë | 19 Qer 2021 | 17:36 | Nga Ekonomia Online

Pamje të reja publikohen, ku shfaqen protestuesit dhe nxitja e ngacmimi i tyre ndaj oficerëve që atë ditë ishin në terren përqark godinës së Kongresit më 6 janar.

Në këto video të reja, të transmetuara nga CNN, tregojnë qartë të identifikuar Scott Fairlamb, pronar i një palestre në Nju Xhersi, teksa provokon, më pas shtyn një oficer policie dhe në fund e godet në fytyrë.

Në një tjetër video, të filmuar nga kamera trupore e një oficeri policie, duket Tomas Uebster, një ish-marins dhe oficer policie i Nju Jorkut, në pension tashmë, i veshur me një xhup të kuq, që kërcënon oficerin e policisë, duke e goditur me shkopin e flamurit dhe më pas e shtyn duke e rrëzuar në tokë.

Të dy burrat janë shpallur të pafajshëm për akuzat që rëndonin ndaj tyre.

Adam Schiff, kongresmen demokrat: “Është një sjellje e pahijshme dhe e çuditshme për të gjithë. Shpresoj që kjo do t’i ndihmojë njerëzit të shohin më qartë gënjeshtrat e ish-presidentit”.

Madeleine Dean, kongresmene demokrate: “Është e turpshme por ka një numër kolegësh të mi republikanë që nuk kanë aspak turp”.

Videot u publikuan në kohën kur disa anëtarë republikanë të Kongresit po përpiqen të rishkruajnë historinë, duke i cilësuar të gjitha ngjarjet dhe veprimet e 6 janarit, brenda dhe jashtë godinës së Capitol Hill si teori konspirative.

Louie Gohmert, kongresmen republikan: “Departamenti i Drejtësisë, FBI apo çdo institucion tjetër, çfarë roli luajtën atë ditë?”

Sipas republikanëve, protestuesit atë ditë nuk ishin mbështetës të Trump, por të FBI. Në një faqe zyrtare në internet, flitet gjatë dhe hapur sesi protestuesit kanë bashkëpunuar me informatorë të FBI apo agjentë të maskuar, të infiltruar në grupet pro-Trump. Por ekspertët ligjorë thonë se këto terma kurrsesi nuk mund të përdoren për të përshkruar agjentët e FBI, por i referohen njerëzve që bëhen pjesë e këtyre teorive konspirative, që sot ende nuk janë akuzuar.

Kongresmeni republikan Adam Kinzinger edhe një herë kërkon një komision hetimor për ngjarjet e 6 janarit. “Dilni e thoni të vërtetën tuaj. Tregojini amerikanëve të vërtetën. Ta provojmë të vërtetën dhe kështu mund të ecim përpara”.

Të ngjashme