Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit R.Z. për vepër penale “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve” nga neni 213 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, i pandehuri R.Z, më 11 qershor 2017, në shkollën fillore “Janko Jovicevič” në Gorozhdec të Pejës, si simpatizant i “Listës Serbe”, duke shfrytëzuar paaftësinë profesionale të votuesve, u ka sugjeruar atyre të votojnë për personat e cekur në fletëvotimet e plotësuara, të cilat i pandehuri i posedonte me kandidatët e caktuar.
Atij i janë gjetur 32 fletëvotime, prej të cilave 27 ishin të shënuara me kandidatë të njëjtë.
I pandehuri me këto veprimet ka përmbushur elementet e veprës penale të përshkruar sikur më lart.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës kompetente që të pandehurin ta shpall fajtor për veprën penale për të cilën ngarkohet dhe ta dënojë sipas ligjit.