Janë duke u bërë përgatitjet e fundit për të nisur sezoni i ri të ngrohjes në Prishtinë. Zyrtarë nga Termokosi thonë se që nga përfundimi i sezonit 2018/19, janë duke u kryer riparimet e nevojshme për të nisur me sezonin 2019/20. Por, përveç lagjeve ku deri më tani ka ekzistuar rrjeti i ngrohjes, janë duke u bërë përpjekje që këtë vit të kyçen edhe 20 objekte banesore të “Kalabrisë.
Zëdhënësja e Termokosit, Afërdita Uka, ka treguar se afati i nisjes së ngrohjes në qytet ligjërisht është data 15 tetor. Por ajo ka shtuar se kjo do të bëhet nëse kushtet klimatike do të jenë në kondita normale.
“Ligjërisht sezoni ngrohës duhet të fillojë më 15 tetor. NP “Termokos” SH.A, që nga përfundimi i sezonit të fundit ngrohës ka punuar intensivisht në terren, duke bërë riparimet e nevojshme në rrjetin e stërvjetëruar të ngrohjes dhe tek të gjitha nënstacionet e ngrohjes, ku janë evidentuar probleme teknike, në mënyrë që gjithçka të jetë gati për të filluar me kohë sezoni i ri ngrohës 2019/2020. Tanimë përgatitjet janë në fazën përmbyllëse, dhe nëse kushtet klimatike do të jenë në kondita normale klimatike, në bazë të të cilave jemi të obliguar të fillojmë furnizimin me ngrohje, ne do të fillojmë sezonin më të ri ngrohës në afatin e përcaktuar ligjor”, ka thënë Uka për Gazetën Expres.
Përveç në lagjet ku tashmë Termokosi ka shtrirje të rrjetit të ngrohjes, është duke u punuar që sivjet në rrjetin e ngrohjes të kyçet edhe “Kalabria”.
“Në saje të donacioneve të ndara nga Komisioni Evropian në vlerë të 8.3 milion eurove për zgjerimin dhe rehabilitimin e rrjetit të ngrohjes, që nga muaji maj i këtij viti kanë filluar punimet për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes në lagjen “Kalabria”. Punimet janë duke u zhvilluar me intensitet të shtuar dhe nëse gjithçka ecën sipas planit dinamik, këtë vit do të fillojë për herë të parë furnizimi me ngrohje për 20 objekte banesore të kësaj lagjeje”, ka theksuar Uka.
Sipas rregullores së Termokos-it, sezoni i ngrohjes fillon më 15 tetor dhe mbaron më 15 prill të vitit vijues.
Bazuar në aktet ligjore në fuqi, në varësi të kushteve klimatike, sezoni i ngrohjes mund të shkurtohet ose të zgjatet.
“Në rast se kushtet klimatike janë të favorshme sezoni ngrohës mund të fillojë pas datës 15 tetor ose të përfundojë para 15 prillit të vitit vijues. Në të kundërtën, në rastet kur temperaturat e ulëta mbretërojnë për tri ditë radhazi para afatit ligjor për fillimin e sezonit ngrohës apo moti i ftohtë vazhdon pas 15 prillit, në bazë të disa parakushteve me aktet ligjore në fuqi lejohet furnizim i jashtëzakonshëm me ngrohje maksimalisht nga data 1 tetor deri më 30 prill”, thuhet në këtë rregullore.