Nis Simpoziumi i Shkencave Shëndetësore “Për shëndetin e kohës së re”

Prishtinë | 22 Sht 2017 | 16:03 | Nga

Profesionistë të fushës së shëndetësisë nga Kosova, rajoni e vende të tjera, janë mbledhur në Prishtinë, për të diskutuar sfidat dhe problemet e fushës së shkencave shëndetësore, në kuadër të Simpoziumit të VIII-të Ndërkombëtar të Shkencave Shëndetësore.

Simpoziumi dyditor organizohet nga Kolegji “Heimerer” dhe Instituti i Evropës Juglindore për Avancime në Shëndetësi dhe Infermieri.

Simpoziumin e hapi drejtori i Kolegjit “Heimerer”, Petrit Beqiri, i cili e tregoi rrugëtimin dhe sfidat e simpoziumit ndër vite dhe tregoi se për suksesin dhe ndikimin e punimeve të simpoziumeve që i kanë në fushën e shëndetësisë në Kosovë.

Prof. Johan Behrens nga Gjermania tha se tema tabu si siguria e pacientit, pjesëmarrja e pacientit në vendimmarrje dhe gabimet në sektorin e shëndetësisë po fillojnë të diskutohen, si në Gjermani po ashtu edhe në Evropë. “Është kënaqësi që Kolegji ‘Heimerer’ temat e tilla i trajton prej vitesh”, tha ai.

Të pranishmit i falënderuan edhe pronari i Kolegjit Heimerer, “Fredrich Heimerer”; rektorja Dr. Natyra Karahoda-Gjurgjela; rektori i Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”, Dr. Shaban Buza; zv.drejtoresha e Kolegjit “Heimerer”, Dr. Naime Brajshori; si dhe Prof. Fitim Uka.

Objektivi i përgjithshëm i simpoziumit është të kontribuojë në fushën e shkencave shëndetësore dhe gjithashtu të synojë forcimin e ndërlidhjes së pjesës praktike me pjesën teorike. Në kuadër të objektivave të përgjithshëm, objektivat kryesore të këtij simpoziumi janë edhe të krijojë një forum diskutimi, të nxisë bashkëpunim mes politikë bërësve dhe hulumtuesve në mënyrë që të përmirësohet fusha e shkencave shëndetësore, thuhet në një komunikatë shtypi të Kolegjit.

Në këtë simpozium me temën “Për shëndetin e kohës se re”, krahas profesionistëve dhe ekspertëve vendës, po marrin pjesë edhe ekspertë/ doktorë nga Gjermania, Finlanda, Portugalia, Skocia, Amerika, Finlanda, Shqipëria dhe Maqedonia.

Ky simpozium do të mbahet më 22 dhe 23 shtator 2017, në Hotelin “Swiss Diamond”. Krahas ligjëratave dhe prezantimeve të punës shkencore nga ekspertët vendës dhe ndërkombëtarë, do të prezantohen edhe projekte hulumtuese nga fusha e shëndetësisë dhe ajo sociale.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme