Nis subvencionimi i rrymës, mbi 40 mijë familje përfituese të grupit të parë

Prishtinë | 18 Jan 2024 | 10:58 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se ka filluar subvencionimi i energjisë elektrike për familjet e cenueshme.

Sipas tij janë 40 mijë e 620 familje që janë kualifikuar në grupin e parë, e të cilat do të përfitojnë nga subvencionimi i energjisë elektrike.

“Subvencionimi do të bëhet direkt në faturë, i ndarë në 6 këste mujore, duke filluar nga fatura e janarit. Subvencionimi bëhet në kuadër të pilotimit të Programit për Mbështetjen e Familjeve të Cenueshme, që mbështetet financiarisht nga Bashkimi Evropian”, ka shkruar Murati në Facebook.

Ai ka theksuar se Komisioni zbatues ka shqyrtuar të gjitha aplikacionet e familjeve që kanë aplikuar online. Gjithashtu, ka thënë se me automatizëm janë shqyrtuar sipas kritereve të njëjta edhe familjet që në të kaluarën kanë përfituar nga skema e vjetër mbështetëse, meqenëse të dhënat e tyre i kemi pasur në databazë.

“Të gjitha familjet që janë miratuar nga Komisioni zbatues e që kanë përfituar nga subvencionimi, këtë do të mund ta shohin në faturat e tyre të energjisë elektrike. Vlen të theksohet se gjatë shqyrtimit Komisioni ka hasur në numër të konsiderueshëm të aplikacioneve që kanë përmbajtur gabime dhe ka qenë e pamundur që këto aplikime të shqyrtohen. Në lidhje me këtë, aplikuesit do të pranojnë një email me udhëzimin se si të riaplikojnë me të dhëna të sakta”, ka shkruar Murati.

Të ngjashme