Zgjedhjet presidenciale dhe të 27-tat parlamentare në Turqi filluan sot në mëngjes në orën 8:00 sipas kohës lokale, ndërsa qytetarët turq deri në orën 17:00 do të kenë mundësinë të zgjedhin presidentin dhe deputetët në kuvend, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas statistikave zgjedhore të publikuara nga Komisioni i Lartë Zgjedhor (YSK), 56.322.632 votues do të shfrytëzojnë të drejtën e tyre në 180.065 kuti votimi.
Zgjedhjet e sotme karakterizohen me një numër risish, siç janë “kutia mobile e votimit” për personat e sëmurë dhe me aftësi të kufizuara, mbajtja e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në të njëjtën ditë, si dhe aleancat parazgjedhore mes partive për herë të parë në historinë politike të Turqisë.
Gjashtë kandidatë do të garojnë në zgjedhjet presidenciale të Turqisë. Presidenti i tanishëm Recep Tayyip Erdoğan është kandidat i përbashkët i Aleancës Popullore, e cila përbëhet nga Partia e Drejtësisë dhe Zhvillimit (AK Parti) dhe Partia e Lëvizjes Nacionaliste (MHP). Kandidat i Partisë Republikane Popullore (CHP) është Muharrem Ince, kurse Partia Demokratike e Popujve (HDP) ka nominuar Selahatin Demirtaş.
Në zgjedhje do të garojnë edhe Meral Akşener, kryetarja e Partisë İYİ, e cila u kandidua duke tubuar 100 mijë nënshkrime, Temel Karamollaoğlu, kryetar i Partisë Saadet, si dhe Doğu Perinçek, kryetar i Partisë Vatan.
Në Zgjedhjet e 27-ta Parlamentare do të garojnë AK Parti, CHP, HDP, HÜDA PAR, Partia İYİ, MHP, Partia Saadet dhe Partia Vatan. Kandidatët e BBP-së do të garojnë nga listë e AK Partisë, kurse ata të DP-së nga lista e Partisë İYİ.
Në vend të 550 deputetëve, që ishte numri para miratimit të ndryshimeve kushtetuese me referendumin e vitit të kaluar, votuesit do të zgjedhin 600 deputetë.
Me ndryshimet e reja ligjore, u mundësua që partitë politike të mund të garojnë në aleanca. AK Partia dhe MHP do të garjojnë bashkarisht si “Aleanca Popullore”, ndërsa CHP, Partia İYİ, Partia Saadet dhe Partia Demokratike (DP) do të hyjnë në zgjedhje si “Aleanca e Kombit”.
Ndryshe, në prill të këtij viti, parlamenti miratoi një projekt-ligj për shkuarje në zgjedhje të parakohshme më 24 qershor, duke synuar forcimin e sistemit presidencial të Turqisë të miratuar me referendum vitin e kaluar.
Më 16 prill të vitit 2017, Turqia mbajti një referendum që kërkoi nga votuesit të vendosin për ndryshime kushtetuese në 18 nene për të kaluar nga sistemi parlamentar në sistem presidencial.
Sipas ndryshimeve të reja kushtetuese, zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare mbahen në të njëjtën datë në çdo pesë vite.