Nis projekti për asistencë në zbatimin e MSA-së

Prishtinë | 06 Kor 2016 | 11:46 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ka filluar sot projekti për “Asistencë në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit – Direktivës së Shërbimeve të BE”, i cili ka për qëllim që të arrihet përparim në tregun e brendshëm të mirëfilltë të shërbimeve, që në sektorin më të madh të ekonomisë evropiane, si bizneset, ashtu edhe konsumatorët të mund të shfrytëzojnë mundësitë që ajo i paraqet.

Dispozitat e Direktivës synojnë të thjeshtojnë procedurat administrative, të largoj pengesat për aktivitete të shërbimeve, si dhe të shtojë si besimin reciprok midis shteteve anëtare, ashtu edhe mirëbesimin e ofruesve dhe konsumatorëve në tregun e brendshëm.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hikmete Bajrami, ka thënë se projekti Asistencë në implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) është shumë i  rëndësishëm për Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, por edhe për të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Bilanci tregtar i shërbimeve ishte 1 miliard e 211 milionë prej të cilëve kishim 405 milionë importe të shërbimeve dhe 77 milionë eksport të shërbimeve. Kjo nënkupton që është sektor me shumë potencial për t’u zhvilluar dhe ne me  të gjithë këto mekanizma dhe me përafrimin e legjislacionit tonë me atë të EU-së do e nxisim këtë sektor  të zhvillohet me tutje”, deklaroi ajo.

Sipas saj, përmes projektit  do të punohet në të gjithë sektorët e shërbimeve. Ajo i bëri thirrje Bashkësisë Evropiane për mbështetje në rrugën e liberalizimit të vizave.

“Ka shumë shërbime të cilat mund  të ofrohen online dhe në forma të tjera. Shembull kur jemi të sektori i ndërtimtarisë, ose edhe sektor të tjerë, këto shërbime janë të mundshme  që të eksportohen vetëm me lëvizjen e lirë të qytetarëve  dhe punëtorëve që jetojnë në Kosovë”, deklaroi ajo, raporton EkonomiaOnline.

Christof Stock, shef i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, tha se BE-ja do ta mbështesë Kosovën që me sukses t’i zbatojë të gjitha dispozitat e MSA-së. Ndërsa tha se sektori i ndërtimtarisë në Kosovë, është një prej sektorëve kryesor dhe ofrimi i shërbimeve, sa më të mira në këtë sektor do të jetë një kontribut në përfitimet reciproke për Kosovën dhe BE-në.

Stock tha se reformat do të jenë të rëndësishme jo vetëm për shkak të MSA-së por dhe do ta mbështesin sektorin e shërbimeve në Kosovë, sepse ka rregulla të qarta, transparente dhe kjo është e rëndësishme për definimin e shërbimeve, që jepen si dhe kushteve për ata që i ofrojnë këto shërbime dhe në mbrojtjen e konsumatorit, raporton EO.

“MSA nuk është vetëm një marrëveshje e nënshkruar diku aty, por është ky projekt i cili është një dëshmi se ne kemi filluar të zbatojmë MSA-në. Sektori i sigurisë nuk është një sektor i lehtë. Por ne mendojmë që me ndihmën e këtyre projekteve ne do të mund të mbështesim Kosovën, që me sukses të zbatojë të gjitha dispozitat e MSA-së dhe që të marrë pjesë në tregun e brendshëm të BE-së dhe për të përfituar bizneset e ndryshme. Prandaj jemi këtu si ofrues të shërbimeve. Sektori i ndërtimtarisë është një prej sektorëve kryesor në Kosovë por dhe në shumë vende të tjera të BE-së dhe të gjithë do ta kuptojmë se nëse ka një ofrim të shërbimeve në sektorin e ndërtimtarisë, atëherë kjo do të jetë kontribut në përfitimet reciproke për BE-në dhe për Kosovën”, tha Stock.

Kurse, zëvendësministri i Jashtëm, Ramadan Ilazi, e vlerësoi si shumë të rëndësishëm projektin në fushën e shërbimeve.

“Pas hyrjes në fuqi të MSA-së tani të gjitha përpjekjet janë fokusuar në zbatimin  e saj. Në këtë drejtim  në kuadër të programit kombëtarë për zbatimin e MSA-së, institucionet kanë  planifikuar një varg masash sa i përket  të drejtës së themelimit, ofrimit të shërbimit  dhe kornizës së kualifikimeve profesionale.”

“Mbështetja  e këtij projekti është e rëndësisë së veçantë sidomos kur kemi parasysh  që legjislacioni i shërbimeve në BE është i natyrës horizontale dhe përfshin  një gamë të shërbimeve që nga tregtia me shumicë  dhe pakicë e mallrave dhe shërbimeve në fushën  e ndërtimit shërbime biznesore,  turizmi rekreacioni e deri tek aktivitetet që lidhen me profesionet e rregulluara”, u shpreh Ilazi.

Më tej, ai theksoi se në aspektin  ekonomik shërbimet janë komponentë i rëndësishëm i shkëmbimit tregtar  të Kosovës me BE-në dhe vendet e tjera.

Harmonizimi i kornizës ligjore me legjislacionin e BE –së do të ndikojë pozitivisht jo vetëm në  zbatimin efektiv të MSA-së, por edhe në konsolidimin e sektorit të shërbimeve, përfundoi ai.

Me mbështetjen e zhvillimit  të tregut të brendshëm në shërbime të integruara, Direktiva do të ndihmojë realizimin e potencialit të konsiderueshëm sa i përket rritjes ekonomike dhe krijimit të vendeve të punës në sektorin e shërbimeve në Evropë. Ky projekt është mbështetur nga bashkimi Evropian.DSC03137

 

Të ngjashme