Grupi Parlamentar NISMA për Kosovën priti në takim shefen e Zyrës së BE-së dhe Përfaqësuese e Posaçme e BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova, e cila ishte e shoqëruar nga disa ambasadorë të shteteve të BE-së.
Temë diskutimi në këtë takim ishte Iniciativa për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale, për të cilën Apostolova kërkoi qëndrimin e Grupit Parlamentar NISMA për Kosovën.
Shefi i Grupit Parlamentar NISMA për Kosovën, Bilall Sherifi foli për qëndrimin e NISMËS për Gjykatën Speciale, ku theksoi se NISMA ka qenë kundër saj në vitin 2015 edhe sot edhe gjithmonë do të jemi kundër një gjykate të tillë e cila do të trajtojë vetëm rastet e supozuara të UÇK-së dhe jo të gjitha krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Si e tillë ajo është e njëanshme, një etnike dhe tejet selektive.
Apostolova në këtë takim foli për raportet BE – Kosovë, ajo theksoi se qëllimi i BE-së është ta ndihmojë Kosovën. Ajo gjithashtu e ritheksoi se BE-ja pret që Kosova të respektojë obligimet ndërkombëtare siç është Gjykata Speciale.