Një adoleshent i vrarë si pasojë e sulmit në një shkollë në Kolorado

Prishtinë | 08 Maj 2019 | 08:25 | Nga Ekonomia Online

Një adoleshent është vrarë dhe shtatë të tjerë janë plagosur pasi dy persona supozohet se kanë shtënë me armë zjarri në një shkollë në Shtetet e Bashkuara.

Sulmi në shkollën Highlands Ranch afër Denver në Kolorado, ka ndodhur të martën dhe sulmuesit janë arrestuar, ka njoftuar policia.

Kjo shkollë gjendet vetëm 8 kilometra larg shkollës së mesme, Columbine, e cila ka qenë shënjestër e një prej sulmeve më të këqija në shkollat amerikane 20 vjet më parë.

Sulmi i fundit konsiderohet se ka shënuar sulmin e 115-të masiv me armë zjarri në Shtetet e Bashkuara gjatë këtij viti.

Guvernatori i Kolorados, Jared Polis ka thënë përmes një postimi në Twitter se do të dërgojë forca policore shtesë në vendin e ngjarjes.

Shtëpia e Bardhë po ashtu ka shprehur ngushëllime për viktimat, derisa zëdhënësi Judd Deere ka thënë se presidenti amerikan, Donald Trump “është njoftuar dhe vazhdon të monitorojë situatën”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme