Një muaj paraburgim për dy zyrtarët e Komunës së Vitisë

Prishtinë | 07 Kor 2021 | 12:12 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditë të pandehurve F. A. Dhe F. R..

Gjykata themelore në Gjilan njofton se i pandehuri F. A. në cilësinë e personit zyrtar si menaxher i prokurimit në Komunën e Vitisë ka shfrytëzuar detyrën apo autoritetin me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër, ashtu që dyshohet se me dashje ka tejkaluar kompetencat dhe detyrat e tija ligjore të përcaktuara me ligj.

I pandehuri F. R., në cilësinë e zyrtarit si menaxher i projektit të Komunës së Vitisë, ka shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tij zyrtar me qëllim të përftimit të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër, ashtu që dyshohet me dashje ka tejkaluar kompetencat e tij të përcaktuara me ligj, në atë mënyrë që kishte ofruar dokumentacione të rrejshme se kinse punimet ishin përfunduar në këto dy projekte.

Me këto veprime, të pandehurit dyshohet se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës ose autoritetit zyrtar” vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Gjilanit. transmeton Klankosova.tv

Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, ka caktuar masën e paraburgimit, pasi që ka vlerësuar se këto rrethana janë të mjaftueshme se po që se të njëjtit lihen në liri dhe kthehen në vendin e punës, mund të përsërisin veprën penale apo të kryejnë edhe ndonjë vepër tjetër penale me pasoja më të rënda.

Të ngjashme