Një person dënohet me 5 vite burg për “rekrutim për terrorizëm”

Prishtinë | 23 Sht 2016 | 19:42 | Nga

Gjykata Themelore në Ferizaj, në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Speciale shpalli aktgjykimin ndaj të pandehurit Musa Ademi, i cili akuzohej për veprën penale “rekrutim për terrorizëm”. Ai u gjykua dhe u dënua me burgim në kohëzgjatje prej pesë vitesh.

Në një njoftim nga Gjykata Themelore në Ferizaj bëhet e ditur se i pandehuri është akuzuar nga Prokuroria Speciale, se që nga gushti i vitit 2013 vazhdimisht u ka bërë thirrje personave të tjerë për pjesëmarrje në aktivitetet e organizatës të quajtur ISIS (DAESH).

Në njoftim shtohet se ai ka bërë propagandë intensive, verbale, si dhe përmes medieve sociale, ka dërguar informacione dhe fotografi lidhur me aktivitetet terroriste të kësaj organizate.

Ai gjithashtu, thuhet në njoftim, ka siguruar fonde të ndryshme materiale, duke blerë biletat e aeroplanit për linjën Prishtine –Stamboll për dy persona, të cilët në muajin gusht të vitit 2013 kanë udhëtuar në këtë linjë e pastaj u janë bashkuar organizatës terroriste DAESH, në Siri.

Ndërkaq, bëhet e ditur se njëri prej atyre, pasi që kishte vrarë 52 persona, në vitin 2014 ka bërë vetëvrasje, kurse tjetri ende gjendet në Siri si pjesëtarë i aktiviteteve të grupit terrorist.

Gjithashtu theksohet se i pandehuri, gjatë muajit maj ka organizuar vajtjen në Siri edhe të dy personave të tjerë, ku njëri prej tyre në momentin e fundit e ka ndërruar mendimin dhe nuk ka shkuar në këtë organizatë, kurse tjetri ka qëndruar atje rreth 5 muaj, dhe tani gjendet në vuajtje të dënimit për aktivitetet terroriste në këtë organizatë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme