Një suharekas arrestohet për fajde dhe detyrim

Prishtinë | 18 Kor 2019 | 22:20 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person nën dyshimin se ka kryer veprat penale “fajde”, “detyrim” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), gjegjësisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion (NJRHKEK) në Prizren, pas pranimit të një informacioni se një i dyshuar ka konsumuar elementet e veprave penale ‘fajde’ dhe ‘detyrim’, ka filluar hetimet dhe mbledhjen e provave për rastin.

“Hetuesit policorë kanë siguruar Urdhëresën nga Gjykata Themelore Prizren, për urdhër kontroll. Sot, më 18.07.2019 është zbatuar urdhëresa e gjykatës, ku në prezence të personit të dyshuar dhe mbrojtësit të tij, në një fshat të Suharekës, është kontrolluar personi, shtëpia dhe automjeti i tij. Në cilësi të provave materiale janë sekuestruar dëshmi relevante të kryerjes së veprave penale ‘fajde’ dhe ‘detyrim’, dëshmi të cilat do të përdorën në procedura të mëtejme gjyqësore”, thuhet në njoftimin e policisë.

“Po ashtu, tek i dyshuari janë gjetur dhe sekuestruar edhe: një (1) pushkë automatike AK-47, dy (2) karikatorë të pushkës automatike, pesëdhjetë e tre (53) copë fishekë kalibri 7.62 mm dhe një (1) pushkë gjuetie me gjashtë (6) fishekë”.

Me aktvendim të prokurorit të rastit, i dyshuari R. B. viti i lindjes 1952, mashkull shqiptar kosovar ndalohen për 48 orë në mbajtje.

Të ngjashme