Një vit ka kaluar që nga vdekja e ish-futbollistit të ndjerë, Emiliano Sala, dhe familja e tij është ende në pritje të përgjigjeve për atë se çfarë ndodhi në aksidentin që ia mori jetën të afërmit të tyre.
28-vjeçari Emiliano Sala, i cili sapo ishte bërë lojtari më i shtrenjtë në histori të Cardiff Cityt, vdiq kur aeroplani me të cilin po udhëtonte u rrëzua mbi Kanalin Anglez, transmeton Gazeta Express.
Lajmi e kishte tronditur botën e futbollit, ndërsa piloti i aeroplanit – David Ibbotson – nuk është gjetur ende.
Sulmuesi argjentinas ishte duke shkuar në kryeqytetin uellsian nga Nantes, ku kishte luajtur për katër vjet. Ai ishte ylli i sulmit të klubit, pasi i kishte shënuar 42 gola në 120 ndeshje të zhvilluara.
Cardiffi kishte qenë duke e monitoruar Salan për një kohë të gjatë, duke shpresuar se ai do t’ia përmirësojë klubit gjasat për të mbijetuar në Premierligë.
Por, në muajt pas vdekjes së Salas, vëmendja tani është kthyer te çmimi i transferimit të tij, pasi që dy klubet nuk po arrijnë marrëveshje për shumën prej 15 milionë funtesh për lojtarin i cili vdiq disa orë pas transferimit të tij.
Familja e Salas është ende në kërkim të përgjigjeve dhe ata thonë se do ta shënojnë përvjetorin duke “u zhytur në mendime të thella dhe private për humbjen e tyre”.
Ndërkohë, ende s’është bërë një hetim i plotë gjyqësor, kërkimet e policisë vazhdojnë dhe raporti final për atë se çfarë ndodhi atë natë nuk është publikuar ende.
Dega e Hetimeve për Aksidentet Ajrore (AAIB) thotë se ky raport është në fazat finale dhe se do të publikohet në fund të marsit. Ata thonë se po i analizojnë të gjithë faktorët që mund ta kenë shkaktuar ose të kenë kontribuar në aksidentin. Megjithatë, AAIB është kritikuar se nuk i ka mbledhur të gjitha dëshmitë që i kishte në dispozicion.
Operacioni fillestar i kërkim-shpëtimit për aeroplanin Piper Malibu, Salan dhe pilotin Ibbotson ishte ndalur pas tre ditësh kërkimi, mirëpo familja e Salas kishte kërkuar që autoritetet të vazhdojnë të kërkojnë dhe kishin ngritur fonde për të filluar kërkime private.
Pasi familja e punësoi oqeanografin e njohur David Mearns, aeroplani u gjend pothuajse menjëherë dhe trupi i Salah u zbulua në rrënojat e aeroplanit. Më vonë u zbulua se ai kishte rënë në kontakt me nivele të dëmshme të monoksidit të karbonit.
Familja është e përqendruar që të përfundohen të gjitha hetimet sa më shpejt që të jetë e mundur në mënyrë që ta mësojë të vërtetën për atë që ndodhi atë natë, kur e humbën më të dashurin e tyre.