‘Njëri fshinte lotët te xhami derisa Thaçi fliste’: Seanca e fundit në Hagë bën jehonë në mediat ndërkombëtare

Prishtinë | 19 Shk 2026 | 12:07 | Nga Ekonomia Online

Gjyqi i Thaçit dhe të tjerëve përshkoi ballinat e gazetave të botës.

Fjalët e përmbyllëse ku, njëzëri, katër drejtuesit e UÇK-së u deklaruan të pafajshëm, u raportuan gjerësisht nga media prestigjioze si dhe u përmblodhën raportime për procesin.

“France 24” e nisi titullin me fjalë të Hashim Thaçit se (akt)akuza ndaj tij është “tejet absurde” dhe që në fjalët e para të artikullit tregon se ish-Presidenti ishte vetë ai që e dorëzoi veten për t’u gjykuar nga Specialja.

Akuzat nuk qëndrojnë. Unë jam tërësisht i pafajshëm”.

Gazeta ripërmbledh fjalën e Thaçit se kishte ardhur nga Cyrihu kur kishte nisur lufta “pas masakrave ndaj shqiptarëve”.

Kjo seancë gjyqësore, rikujton France 24, erdhi pasi dhjetëra e dhjetëra mijëra protestues vërshuan kryeqytetin e Kosovës në mbështetje të tyre.

Për UÇK-në shkruhet se ajo si ushtri guerile erdhi në shprehje pas “shtypjes në rritje” të popullatës shqiptare nga Serbia.

“Ata udhëhoqën luftimet separatiste të armatosura, deri kur NATO-ja bombardoi deri në largim forcat serbe”.

Artikulli vijon të shkruaj se si provat e pranuara nga Serbia prej Gjykatës Speciale “janë vçeanërisht të ndjeshme për shkak të shkallës së mizorive të kryera nga ushtria dhe policia serbe në Kosovë”.

“Le Figaro”-ja franceze po ashtu i kushton jehonë të veçantë fjalëve të Thaçit se si ishte kthyer nga Cyrihu, jo siç pretendon prokuroria e specializuar, “për të marrë kontroll mbi territorin” por pas masakreve serbe.

“S’kam mundur të rri indiferent. Vendosa të vi në Kosovë dhe të bëjë çka do të bënte secili. Jam krenar, dhe s’kam pendim”, e citon Thaçin, “Le Figaro”.

“Në prag të kësaj seance të fundit dëgjimore, disa dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës, për të shprehur mbështetjen e tyre për të akuzuarin, i cili konsiderohet nga një pjesë e madhe e banorëve të Kosovës si hero lufte”, shkruan artikulli.

“Jam këtu për të konfirmuar se lufta jonë ishte e drejtë, e pastër, mbrojtëse dhe nuk ishte e drejtuar kundër ndonjë populli tjetër“, tha për mediat në Hagë Ministri i Jashtëm i Kosovës Glauk Konjufca, i cili mori pjesë në seancë dëgjimore. Gjyqtarët kanë disa muaj kohë për të shpallur vendimin.

Prestigjiozja britanike “The Independent” e nisi artikullin me përshkrime që Thaçi para gjyqit e paraqiti veten për burrështetas dhe paqebërës; teksa citon se “jam udhëzuar nga idealet perëndimore të demokracisë”.

“Mbështetësit në galerinë publike të gjykatës në fillim të fjalimit të tij u shtynë pas murit prej xhami që i ndante nga salla e gjyqit për t’i përshëndetur ish-presidentin përpara se të qortoheshin nga rojet e sigurisë. Një burrë mund të shihej duke fshirë lotët ndërsa Thaçi fliste”, shkroi The Indipendent.

Gazeta vazhdon të raportojë se Thaçi në fjalët e veta tha se e u kthye nga studimet në Zvicër për të ndihmuar në mbrojtjen e atdheut të tij kundër sulmeve brutale nga Serbia fqinje dhe në fund u bë një përfaqësues kyç i UÇK-së në bisedimet e paqes të ndërmjetësuara nga Perëndimi dhe më vonë president i vendit të tij të lindjes.

“Gjatë gjithë asaj kohe, e vetmja fuqi që kisha ishte fuqia e zërit tim”, tha ai.

“E përdora zërin tim për të promovuar një shoqëri shumëetnike dhe tolerante në vendin tim, në Kosovë”, shtoi ai.

Të ngjashme