NPB-ja rinovon 700 hyrje të ndërtesave në kryeqytet – Sahatçiu kërkon bashkëpunim nga qytetarët

Prishtinë | 18 Dhj 2023 | 10:45 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ndërmarrja Publike Banesore (NPB) ka promovuar hyrjen banesore të 700-të të rinovuar nga kjo ndërmarrje në kryeqytet, raporton Ekonomia Online. Kryeshefi ekzekutiv i NPB-së, Artan Berisha, tha se kanë filluar me projekte që synim kanë përmirësimin e gjendjes së ndërtesave që i kanë nën menaxhim.

Ai ka bërë të ditur se kanë nën menaxhim 80% të hyrjeve të vjetra në kryeqytet dhe se kanë edhe 100 kërkesa për renovime.

“Sot po e përurojmë hyrjen e 700-të. Pra, nga sot ndërmarrja i ka nën menaxhim 700 hyrje dhe kemi bërë disa investime këtu. Aktualisht sipas statistikave, afër 80 për qind e hyrjeve të vjetra janë nën menaxhim dhe kemi edhe 100 kërkesa të tjera”.

“Gjithashtu është një projekt ambicioz dhe ndoshta në të ardhmen e afërt mund t’i kalojë edhe kufijtë e Prishtinës, pasi ka pasur sukses në Prishtinë edhe përreth të vazhdojë ky projekt”, u shpreh ai.

Nënkryetarja e Prishtinës, Donjeta Sahatçiu, përgëzoi NPB-në për punën e bërë, përderisa ftoi qytetarët për bashkëpunim.

“Nuk ka më mirë se me mbyll vitin me një arritje sikurse kjo. Sigurisht, 700 është një numër i madh që tregon punën e madhe që është bërë”.

“Shpresoj që të vazhdojë, e di që ka shumë kërkesa. Çka presim shumë, është një bashkëpunim edhe me qytetarë, ka shumë nevojë për bashkëpunim dhe për rritjen e shërbimeve që mund të ofrojnë brenda hyrjeve”, tha ajo.

E njëri nga pronarët e ndërtesës, Rexhep Hasani, falënderoi Ndërmarrjen Publike Banesore për këtë investim.

Të ngjashme