“Nuk do të ndalemi”, qytetarët kundërshtojnë vendimin e Gjykatës Speciale

Prishtinë | 18 Sht 2026 | 15:04 | Nga Ekonomia Online

Qytetarë nga vende të ndryshme të Kosovës u mblodhën në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë për të kundërshtuar vendimin e Gjykatës Speciale kundër katërshes së UÇK-së, të cilët kjo e fundit i dënoi në total me 81 vjet burgim, raporton Ekonomia Online.

Pas protestës, pjesëmarrësit thanë se vendimet e gjykatës i konsiderojnë të padrejta dhe kërkuan që ish-krerët e UÇK-së të lirohen.

Rexhep Sadiku nga Ferizaj tha se kishte ardhur në protestë pas vendimit të gjykatës në Hagë, të cilin e cilësoi si të padrejtë.

“Ne kemi ardhur sot nga vendimi i Gjykatës së Hagës, e gjitha në mënyrë skandaloze si një gjykatë raciste, serbo-ruse që atakoi rëndë qenien tonë kombëtare dhe të burgosurit. Dhënë një dënim madje jashtë balancimit, derisa kriminelët serbë shëtisin nëpër Beograd, luftëtarët u dënuan me dënime me 81 vjet burg”, tha ai.

Sadiku tha se, sipas tij, protesta dhe kundërshtimi ndaj gjykatës do të vazhdojnë.

“Prandaj ne nuk do të ndalemi, sepse sot nuk janë gjykuar vetëm ata heronj të gjallë të Kosovës dhe të kombit, po u gjykua Kosova. Është vënë në rrezik ekzistenca e qenies sonë, e pavarësisë së Kosovës”, u shpreh ai.

Ai shtoi se shqiptarët, sipas tij, duhet të vazhdojnë kundërshtimin ndaj vendimeve.

“Kush e ndien veten shqiptar, me të gjitha energjitë e veta derisa ta ketë frymën e vet, do të vazhdojë luftën për ta kundërshtuar këtë gjykatë dhe për të bërë të pamundurën dhe për t’u djegur si feniksi dhe për t’u rikthyer në jetë, me qëllim këta të dënuar t’u hiqet dënimi, të vijnë nëpër shtëpitë e veta dhe thjesht lufta jonë çlirimtare të vendoset në binarë”, tha ai.

Në protestë ishte edhe Murat Loku nga Hani i Elezit, invalid i luftës së UÇK-së. Ai tha se pjesëmarrësit kishin dalë në protestë edhe për të shprehur pakënaqësinë ndaj institucioneve të Kosovës.

“Po, ne në protestë kemi ardhur për pakënaqësitë që po na i bën qeveria jonë, pos Gjykatës së Hagës, sepse ne e kemi pritur ndryshe. Kemi pritur nga qeveritarët, sepse populli i ka votuar, ndoshta unë jo, por populli ka votuar për me na mbrojtë.”

Shaip Terholli nga Prishtina tha se kishte marrë pjesë në protestë në mbështetje të ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

“Jemi dalë në përkrahje të çlirimtarëve, ata na prunë lirinë. Ata sakrifikuan çdo gjë nga vetja për me ardhë te kjo liri. Ata burra besuan në drejtësi, kurse u premtuan në besë se nuk pati drejtësi, këtu pati politikë.”

Terholli akuzoi Serbinë dhe aleatët e saj për ndikim në proceset gjyqësore, duke pretenduar se institucionet e drejtësisë në Hagë janë korruptuar.

“Serbia i angazhoi të gjitha institucionet, të gjithë aleatët dhe e korruptoi gjykatën, e korruptoi prokurorinë. Prokuroria, çdo gjë u korruptua, kurse shteti jonë çlirimtarët tanë i la në harresë dhe ndodhi kjo padrejtësi. Një padrejtësi që nuk e njeh bota, këtu gjithçka ka pasur tjetër përveç drejtësisë, nuk ka pasur. Gjykata është e korruptuar definitivisht nga Serbia dhe aleatët e Serbisë, kurse na, fatkeqësisht, çlirimtarët tanë i lamë në harresë.”

Në protestë mori pjesë edhe Myzafere Shala, e cila tha se kishte ardhur nga Holanda së bashku me familjarët e saj.

“Me përkrah Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Unë kam ardhur special prej Holandës për këtë protestë, unë edhe familjarët e mi, për këtë protestë. Sigurisht që do të lirohen, ata janë të pafajshëm”, tha ajo.

Dy ditë më parë Gjykata Speciale në Hagë i dënoi në total me 81 vjet burgim ish-krerët e UÇK-së.

Ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18, dhe Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.

Të ngjashme