Nxënësit e “Faik Konicës” mësojnë për “Epopenë e UÇK-së”

Prishtinë | 05 Mar 2020 | 09:24 | Nga Arlinda Sejdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Orën e parë të mësimit me plan-program e kishin lëndën e Biologjisë. Mirëpo, nxënësit e shkollës “Faik Konica”, në vend të Biologjisë, folën për Epopenë e UÇK-së, në 22-vjetorin e kësja date.

Shpend Osmani, tregon se Epopeja e UÇK-së, i kujton flijimin e familjes Jashari. 

Ai thotë se kur ka qenë në Prekaz për të parë kompleksin memorial “Adem Jashari”, kishte qarë nga ajo se çfarë kanë përjetuar kjo familje.

“Epopeja e UÇK-së është një ngjarje shumë e rëndësishme për Kosovën, Ajo ka zgjatur prej 5 deri 7 mars ku familja Jashari është pushkatuar nga forcat policore serbe edhe komandanti legjendat Adem Jashari ka vdekur heroikisht ndaj pushkatimeve serbe për atdhe”.

“Kjo ngjarje më kujton për forcën shqiptare dhe atdhedashurinë tonë që kemi për vendin tonë dhe sa burra kanë vdekur për të çliruar tokën tonë, që ne  të jemi të lirë sot, të kemi të drejtat të mësojmë në liri”

“Aty shtëpia ka qenë e shkatërruar. Ajo më ka bërë të qaj pak pasi e kam parë çfarë kanë vuajtur shqiptarët gjatë asaj kohe”, u shpreh ai.

Mjellma Misini, thotë se falë rezistencës së familjes Jashari, ajo sot mëson në liri.

“Epopeja e UÇK-së ka ndodhur me 5 deri më 7 mars. Ajo ka ndodhur kryesisht në familjen e Jasharajve kur familja Jashari u pushkatua edhe më 7 mars komandanti jonë Adem Jashari ka ra heroikisht. Si rezultat i kësaj ngjarje unë sot mësoj shqip në shkollë dhe lexoj me libra të gjuhës shqipe”, tha ajo

Lekë Gjonbalaj, thotë se Epopeja e UÇK-së, gjithmonë ia kujton kohën kur familja Jashari në Prekaz, pas një rezistence u vranë nga forcat serbe.

“Siç e dimë Epopeja e UÇK-së, është një ngjarje në të cilën familja Jashari u pushkatua nga forcat serbe”, tha ai.

Ndërsa, mësimdhënësja, Dëshira Borovci thotë se me rekomandim të Ministrisë së Arsimit, ora e parë iu kushtua Epopesë së UÇK-së.

“Me urdhër të ministrisë dhe DKA-së, jemi udhëzuar që ora e parë të shkojë në nderim të Epopesë së UÇK-së dhe e gjithë kjo ngjarje, e gjithë Epopeja i kushtohet sakrificës së jashtëzakonshme të familjes Jashari e cila me të vërtetë ka bërë një gjest të jashtëzakonshëm”.

“Të dalësh e vetme kundër një force  aq të madhe nuk është pak dhe me të vërtetë e meritojnë të vlerësohen sepse në rrugëtimin e gjatë të mundimshëm për të arritur deri te Pavarësia ata kanë dhënë një gurthemel”, tha ajo.

Borovci thekson se nxënësve çdo vit iu japin informata për këtë ngjarje e cila nuk duhet të harrohet, raporton EO.

“Çdo vit flasim dhe u japim informata fëmijëve për këtë ngjarje. Ngjarje të tilla nuk duhet të harrohen, ngjarje të tilla duhet të kultivohen dhe sa më shumë atdhedashuria dhe respekti për vendin ku jetojnë duhet t’iu jepen fëmijëve në shkollë “, tregoi ajo.

22 vjet më parë, me 5 mars për tri ditë rresht ushtria dhe policia serbe sulmuan shtëpitë e Jasharajve në Prekaz.

Aty ranë heroikisht, komandanti legjendar Adem Jashari, Hamëz Jashari bashkë me anëtarët e tjerë të familjes, përfshirë gra e fëmijë.

Në nderim të tyre, çdo vjet mbahet Epopeja e UÇK-së.

Të ngjashme