Nxënësit e paraleles së fshatit Gjurgjicë i kthehen bankave shkollore

Prishtinë | 05 Tet 2018 | 16:34 | Nga Ekonomia Online

Drejtoria Komunale e Arsimit mirëpret vazhdimin e procesit mësimor nga të gjithë nxënësit e paraleles së fuzionuar të fshatit Gjurgjicë të cilët janë duke ndjekur mësimin në shkollën amë në SHFMU “Abedin Bujupi” në Arllat, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Po ashtu DKA-ja, mirëpret edhe vazhdimin e procesit mësimor nga disa nxënës të paraleleve të fuzionuara të fshatit Abri dhe Godanc dhe njëherësh kërkon edhe nga nxënësit tjerë t’i bashkëngjiten bashkëmoshatarëve të tyre për të vijuar procesin e rregullt mësimor, transmeton Koha.net.

Ditë më parë kishte pasur protesta nga prindërit dhe nxënësit në këto tri fshatra, duke kundërshtuar vendimin e komunës për mbylljen e shkollave, ku rreth 120 nxënës ende nuk kishin nisur mësimet.

Prindërit do ta vazhdojnë protestën për mbylljen e shkollave në Drenas para Komunës.

DKA-ja në Drenas, falënderon edhe prindërit e fshatit Gjurgjicë të cilët kanë treguar maturi dhe nuk e kanë vazhduar pengesën e fëmijëve për t’u shkolluar që është e garantuar edhe me ligjet e aplikueshme në Kosovë.

Drejtoria Komunale e Arsimit, ju benë thirrje prindërve të paraleleve të fuzinuara në fshatin Abri dhe Godanc,që të ndjekin shembullin e prindërve të fshatit Gjergjicë në mënyrë që të vazhdohet procesi i rregullt mësimor.

Vijimi i procesit mësimor nga nxënësit e paraleleve të fuzionuara, është një veprim shumë i mirëpritur nga ana e Komunës dhe ndihmon proceset për një edukim sa më cilësor për brezat e ardhshëm.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme