Nxënësit edhe sivjet do t’i marrin librat falas nga Ministria e Arsimit

Prishtinë | 28 Gus 2018 | 14:52 | Nga

Nxënësit nga klasa e parë deri në të nëntën edhe këtë vit do të pajisen me tekste mësimore falas nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi në një prononcim për Gazetën Monitor ka bërë me dije se tashmë janë bërë përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor dhe se nxënësit do të pajisen me tekste në kohë.

“Tashme jemi në finalizim te përgatitjeve për fillimin e vitit te ri shkollore. Edhe presim që me datë 3 shtatore të fillojë mësimin në të gjitha nivelet parauniversitare.

Është bërë publikimi i kalendarit vjetore, janë përpiluar udhëzues të ri për mësime dhe nes për përshtatjen e teksteve me kurrikulen e re, pra çdo gjë është gati që të fillojmë një vit të mbarë.”, ka thënë ministri Bytyqi.

Sipas tij, tekstet do të shpërndahen falas dhe se janë në fazën e fillimit të shpërndarjes.

“Tekstet do të shpërndahen falas sipas obligimit ligjor për nivelin 1-9 dhe janë në fazën e fillimit të shpërndarjes, që besoj se me kohë shpërndarja do të bëhet  dhe nxënësit tanë do t’i kenë tekstet sapo të fillojë mësimi”, ka thënë i pari i Arsimit në Kosovë.

Ai ka thënë se kostoja në këtë vit  ka qenë në përputhje me buxhetin që ka MASHT për blerjen e teksteve.

Të ngjashme