Nxënësit kosovarë dalin keq në testin e PISA-s

Prishtinë | 30 Nën 2016 | 13:12 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, e ka informuar kabinetin qeveritar për publikimin e rezultateve të PISA 2015, që do të ndodhë më 6 dhjetor në tërë botën.

Bajrami ka thënë se indikacionet e para tregojnë se rezultatet e nxënësve kosovarë nuk janë të kënaqshme.

“Fillimisht, PISA është një vlerësim kredibil ndërkombëtar që përfshinë 72 shtete. Vetëm shtetet të cilat kanë kërkuar që të hyjnë në këtë vlerësim, vlerësohen. Republika e Kosovës në vitin 2013 ka aplikuar dhe për herë të parë në vitin 2015 ka hyrë në këtë vlerësim. Ky vlerësim përfshinë kryesisht tri fusha të vlerësimit, shkencën, gjuhën dhe matematikën dhe të gjitha shtetet janë në pritje, por janë duke i përgatitur paketat e veprimit pas PISA-s. Indikacionet e para tregojnë se rezultatet nuk janë të kënaqshme”.

“Kjo periudhë përfshinë periudhën 2010-2014 dhe jo rastësisht ne jemi fokusuar si ministri dhe si Qeveri në një prioritet, do të thotë në ngritjen e cilësisë në sistemin arsimor dhe kërkohet prej nesh që menjëherë pas publikimit të këtyre rezultateve, të miratojmë paketë për përmirësimin e sigurimit të cilësisë. Qeveria ka miratuar Strategjinë Kombëtare për Sigurimin e Cilësisë dhe, edhe njëherë po e bëj kërkesën, të cilën e kam bërë edhe në mbledhjen e kaluar, që sa më shpejt të miratojmë planin strategjik për zhvillimin e sistemit arsimor, i cili përfshinë masat që duhet të ndërmerren për përmirësimin e sektorit të caktuar të fushës së arsimit, sepse rezultatet që priten nuk janë inkurajuese”.

Kreu i MAShT-së tha se kërkohet që fokusimi të jetë në tri fusha kryesore: Në ngritjen profesionale të mësimdhënësve; në përmirësimin e kurrikulës, e cila tani është e miratuar si e rishikuar dhe; në përmirësimin e cilësisë së teksteve mësimore, për çka edhe është përgatitur projekt-dokumentin, i cili është miratuar në Qeveri.

“Kërkoj prej kabinetit qeveritar, që mundësisht, menjëherë pas publikimit të rezultateve, të vihet në rend dite Plani Strategjik për Zhvillimin e Arsimit, një dokument, i cili është edhe në agjendën e reformave evropiane, që është miratuar edhe nga Zyra për Planifikim Strategjik, në mënyrë që të reagojmë me kohë ndaj këtyre rezultateve dhe të përgatisim një paketë për përmirësimin e situatës, sepse vlerësimi i ardhshëm do të reflektojë këtë mandat qeveritar, që do të bëhet në 2018 dhe ne duhet të fokusohemi në masat preventive për të përmirësuar në mënyrë emergjente gjendjen e përgjithshme dhe për të siguruar standardet e kënaqshme për cilësinë në arsim”, tha ministri Bajrami.

Të ngjashme