Nxënësit në Pejë blejnë vetë lëndën e parë për punë praktike

Prishtinë | 14 Nën 2018 | 09:44 | Nga Ekonomia Online

Nxënësit e SHME”Ali Hadri” të Pejës në një orë mësimi praktik në Kabinetin e Teknologjisë Ushqimore po mësonin për përpunimin e drithërave dhe brumërave.

Në agjendë të mësimit kishin pasur gatimin e kifleve, të cilat ata vetë pastaj i hëngrën.

Miellin, vajin, kripën, sheqerin dhe çokollatën krem, që i përdorën në këtë orë mësimore, nxënësit i kishin blerë me para të veta, për shkak se për punën praktike, që e mësojnë nxënësit e drejtimit Teknologji Ushqimore në këtë kabinet mungon lënda e parë.

“Mësimi teorik pa mësim praktik nuk është ndihmesë e madhe për t’u përgatitur profesionalisht në këtë drejtim, sepse me praktikë është më e lehtë dhe më e kuptueshme për nxënësit. Por për mësimin praktik mungon lënda e parë dhe ne mbledhim paratë për lëndën e parë për ta mbajtur orën praktike”, tregon nxënësja e kësaj klase XI, drejtimi Teknologji Ushqimore, Edonisa Aliu, për vështirësitë që i kanë për mbajtjen e orëve praktike në mungesë të lëndës së parë.

Edhe mësimdhënësja e lëndës për përpunim të drithërave dhe brumërave, Afërdita Lajçi, e sheh të vështirë përgatitjen e nxënësve në praktikë kur ka mungesë të lëndës së parë që nevojitet, jo vetëm për brumëra, por edhe për drejtimet e tjera që mësohen në këtë kabinet, siç është përpunimi i mishit, fruta- perimeve dhe qumështit.

Të ngjashme