Obama kritika Kinës dhe Rusisë për mosveprim ndaj ndryshimeve klimatike

Prishtinë | 08 Nën 2021 | 21:44 | Nga Ekonomia Online

Ish presidenti Barack Obama ka reaguar pas samitit ttë klimës dhe shpreh besimin se administrata Biden do ta miratojë përfundimisht paketën prej 555 miliardë dollarësh për klimën përmes Kongresit dhe tha se projektligji do të jetë “historik.”

Obama fajësoi rivalët amerikanë Kinën dhe Rusinë për atë që ai e quajti një “mungesë të rrezikshme urgjence” në uljen e emetimeve të gazrave që shkatërrojnë klimën.

Ish-presidenti amerikan po merr pjesë në samit për t’i nxitur vendet që të veprojnë më shpejt dhe më fuqishëm në uljen e emetimeve dhe përballimin e dëmeve në rritje nga ndryshimet klimatike. Zoti Obama tha se “të gjithë duhet të bëjmë sakrifica” për klimën. Por ai shtoi se vendet e pasura kanë një barrë shtesë.

Gjithashtu ai inkurajoi demokratët dhe republikanët të punojnë së bashku për çështjet klimatike, sepse siç u shpreh ai natyra nuk bën dallime sipas përkatësive partiake.

Komentet e tij vijnë ndërsa udhëheqësit e konferencës pranuan të hënën se pas një jave bisedimesh mbeten ende shumë pengesa. Një hendek besimi mes vendeve të pasura dhe atyre të varfra për çështjet e ndryshimeve klimatike u shfaq kur negociatat kaluan në formulimin e pikave që kishte mbetur për t’u bërë. Vendet në zhvillim përdorën fjalën “zhgënjyese” disa herë kur udhëheqësit folën të hënën për përparimin e deritanishëm.

Të ngjashme