OBSH: Gjithnjë e më shumë të rinj, të prekur nga COVID-19

Prishtinë | 29 Kor 2020 | 20:46 | Nga Ekonomia Online

Dr. Hans Kluge, drejtor rajonal për Evropën i Organizatës Botërore të Shëndetësisë është shprehur i shqetësuar për numrin gjithnjë e më të madh të infektimit të rinjve me koronavirus.

“Ajo që ndryshon tani, ndonëse pa provë përfundimtare shkencore, është se po pranojmë raporte nga autoritetet civile dhe shëndetësore rreth një përqindjeje më të lartë të infektimeve tek të rinjtë”, ka thënë ai.

BBC-ja e ka pyetur OBSH-në për më shumë detaje. Nga Organizata Botërore e Shëndetësisë i është thënë se nuk duan të veçojnë ndonjë shtet, por janë përmendur këta shembuj.

Në Suedi, ka pasur rritje dramatike të rasteve tek ata nën moshën 49 vjet deri kah mesi i qershorit. Që nga ajo kohë, numri i këtyre rasteve ka pësuar rënie, por grupmosha 20-29 aktualisht ka më shumë raste në 100.000 banorë sesa ndonjë grupmoshë tjetër në këtë shtet.

Në Irlandë, deri më 28 korrik, pothuajse 60 për qind e të gjitha rasteve të konfirmuara me COVID-19 kanë ndodhur tek personat nën moshën 45-vjeçare.

Në Izrael, përhapja e kohëmëparshme e rasteve është lidhur me shkollat. Në shifrat më të reja, rreth një e pesta e rasteve kanë ndodhur tek personat e moshës 10 deri më 19 vjet dhe një e pesta në grupmoshën 20-29 vjet.

Të ngjashme