Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë mbajti Kuvendin e Përgjithshëm vjetor, në të cilin krahas aprovimit të programit vjetor të aktiviteteve, zgjodhi edhe 11 anëtarët e rinj të Bordit të Guvernatorëve.
Zëvendëspresidenti i Odës Ekonomike Amerikane, Michael Gold, tha se organizata mbetet ndër asociacionet më të fuqishme të biznesit në vend, duke dhënë kontribut të veçantë në përmirësimin e mjedisit për të bërë biznes, por duke qenë aktive edhe në fusha si përgjegjësia sociale korporative.
Gjatë prezantimit të aktiviteteve të vitit 2017, drejtor Ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, foli për të arriturat e kësaj organizate përgjatë viteve të fundit, që e rendisin Odën Amerikane në Kosovë në mesin e 10 Odave më të fuqishme Amerikane në Evropë, ku operojnë gjithsej 45 Oda Amerikane.
Në vijim, Kuvendi i Përgjithshëm i Odës Amerikane, i përbërë nga 100 delegatë, përzgjodhi Bordin e ri të Guvernatorëve, i cili për dy vitet e ardhshme do të ketë këtë përbërje: Ilir Ibrahimi (ProCon) si president i Bordit; Hakif Gashi (Meridian Corporation) zëvendëspresident; Visar Ramajli (Kivo LLC), sekretar i Përgjithshëm; Ardiana Bunjaku (ShKÇAK), thesariste; si dhe anëtarët jotitullarë: Michael Gold (Crimson Finance Fund); Hysen Lajqi (HIB Petrol); Chris Thompson (Checchi and Company Consulting); Artan Lahaj (MER Group); Ramis Ahmetaj (Viva Fresh); Valon Basha (Birra Peja) dhe Neritan Tira (Coca Cola HBC).
Në fjalën e tij inauguruese, Ilir Ibrahimi, president i Bordit të Guvernatorëve, falënderoi Bordin paraprak për punën e shkëlqyeshme dhe siguroi se Oda Amerikane do të jetë zë i fuqishëm i bizneseve në mbrojtje të interesave të tyre edhe në vitet në vijim. Ai ftoi bizneset anëtare të Odës që të jenë sa më aktive në ngritjen e çështjeve të ndryshme me të cilat ata ballafaqohen, në mënyrë që të njëjtat të adresohen tek institucionet përkatëse në formë të përbashkët. Ai poashtu falënderoi edhe drejtorin ekzekutiv të Odës Amerikane, Arian Zeka për punën e palodhshme në zhvillimin dhe rritjen e organizatës. Ai uroi që ky trend të vazhdojë edhe në të ardhmen duke siguruar Drejtorin Arian Zeka për mbështetje të Bordit të Guvernatorëve.
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë është pjesë e Odës Ekonomike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me seli në Washington D.C., e cila numëron 115 Oda Amerikane nëpër botë. Oda Ekonomike e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është organizata më e madhe e biznesit në botë që përfaqëson interesat e mbi 3 milionë bizneseve.