Oda Amerikane mirëpret vendimin për shtyrjen e zbatimit të Ligjit për Sigurime Shëndetësore

Prishtinë | 23 Dhj 2016 | 12:33 | Nga

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë vlerëson si pozitiv vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për shtyrjen e fillimit të mbledhjes së premiumeve shëndetësore, i paraparë të fillojë më 1 janar 2017, që ka qenë shqetësimi kryesor i Odës Amerikane dhe komunitetit profesionist shëndetësor.

Oda Amerikane beson se periudha në vijim do të mundësojë një proces të diskutimit gjithëpërfshirës me të gjithë aktorët relevantë, adresimin e të gjitha shqetësimeve, si dhe eliminimin e të gjitha të metave që e kanë karakterizuar zbatimin e ligjit deri në këtë fazë.

Në të njejtën kohë, periudha në vijim do t’u jap kohë të mjaftueshme institucioneve përgjegjëse për të bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që hyrja në fuqi e ligjit në të ardhmen të gjejë institucionet publike, por edhe organizatat e sektorit privat të përgatitura për zbatimin e mirëfilltë të tij. Krahas kësaj, institucionet duhet të nisin një fushatë vetëdijësimi për dispozitat e një ligji të tillë të rëndësishëm.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, do të jap kontributin e saj gjatë procesit të ardhshëm të përgatitjeve për zbatimin e ligjit, i cili do t’i shërbejë qëllimit për sigurimin e qasjes universale të qytetarëve dhe banorëve të Republikës së Kosovës ndaj shërbimeve kualitative të kujdesit themelor shëndetësor nëpërmjet themelimit dhe rregullimit të sistemit publik të sigurimit shëndetësor, dhe i cili nuk do të cenojë konkurrencën e lirë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme