Oda e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve tjerë shëndetësorë përmes një komunikate për media thotë se, është tejet e brengosur me mos transparencën nëpër të cilën po kalon draftimi i Ligjit për Pagat.
Në reagimin e bërë për media thuhet se “i gjithë ky proces shumë i rëndësishëm po përcillet me mungesë të komunikimit ndërmjet mekanizmave përgjegjës qeveritarë dhe Odës, si organizatë profesionale dhe e pavarur që ka për detyrim mbrojtjen e interesave të infermierëve, mamive dhe profesionistëve tjerë shëndetësorë”.
“Ne kërkojmë nga Qeveria që gjatë procedimit të Ligjit të Pagave, të merren parasysh të gjitha kërkesat dhe thirrjet që iu kemi bërë dhe i kemi dorëzuar përmes shkresave të veçanta në Presidencë, Kuvend, Zyrën e Kryeministrit, Ministrinë e Shëndetësisë etj. Profesioni i infermierit dhe profesionistëve tjerë shëndetësorë tashmë përveç kualifikimeve me shkollim të mesëm përfshinë edhe kualifikimet me bachelor, master dhe studime të doktoraturës. Andaj, kërkojmë me ngulm që këto kualifikime të merren parasysh edhe në përcaktimin e koeficientëve të pagave”, thuhet në reagim
Gjithashtu, OIK, kërkon që infermierët, mamitë dhe profesionistët tjerë shëndetësorë të trajtohen ngjashëm apo madje me koeficient edhe më të lartë se kolegët e tyre me bachelor të fizioterapiosë, radiologjisë etj.
“Kjo, duke u bazuar në nivelin e shkollimit të tyre, e jo siç ka qenë e përcaktuar në draftin fillestar të Ligjit, që është kontestuar nga Gjykata Kushtetuese, e ku infermierët me bachelor nuk janë trajtuar njëjt si kolegët e tyre me bachelor të fizioterapisë, radiologjisë etj”.
“OIK pret që infermierëve, mamive dhe profesionistëve tjerë shëndetësorë, t’u vlerësohet puna dhe roli i tyre nga Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë. Andaj, shpresojmë shumë që puna të vlerësohet mbi bazën e kërkesave të drejtuara nga OIK tek organet përkatëse. Në të kundërtën, nuk do të pranojmë në asnjë mënyrë që profilet e ngjashme me edukim të ngjashëm të kenë koeficient të ndryshëm. Si OIK jemi të gatshëm për bashkëpunim me të gjitha institucionet përgjegjëse, në mënyrë që të japim kontributin tonë në zgjidhjen e kësaj çështjeje”, vijon reagimi