OEK përmbledh sukseset dhe sfidat në 2016

Prishtinë | 30 Dhj 2016 | 23:07 | Nga

Kuvendi i OEK-ut aprovoi raportin e punës dhe raportin e auditorit mbi pasqyrat financiare të Odës dhe me këtë rast konstatoi se asociacioni më i madh i biznesit në Kosovë në vitin 2016 ka arritur rezultate të rëndësishme në të gjitha lëmitë e fushëveprimit të vet, por njëkohësisht është ballafaquar me sfida të ndryshme të cilat me sukses i ka tejkaluar.

Kryetari i Odës, Safet Gërxhaliu, duke folur për raportin e punës ka theksuar se organet e OEK-ut, Kuvendi, Këshilli Drejtues dhe Këshilli Mbikëqyrës kanë realizuar me sukses obligimet ligjore dhe statutare dhe kanë dhënë kontribut shumë të çmueshëm në realizimin e objektivave të Odës.

Me këtë rast kryetari Gërxhaliu ka theksuar edhe rolin e shoqatave të Odës në përfaqësimin, promovimin dhe lobimin e interesave të lëmive të caktuara të biznesit.

Oda ka dhënë kontribut të rëndësishëm edhe në përfaqësimin e interesave të komunitetit të biznesit në Qeveri, ministrit e sektorit të ekonomisë, Këshillin Ekonomik Social, Këshillin Kombëtar të Zhvillimit Ekonomik, Këshillin Konsultativ dhe në organizimin dhe pjesëmarrjen në tryeza dhe seminare të organizuara nga OEK-udhe institucionet tjera.

Oda gjithashtu ka arritur rezultate të rëndësishme në ndërkombëtarizimin e ndërmarrësisë kosovare duke u anëtarësuar në Eurochambers, ICC dhe në institucionet tjera ndërkombëtare të ndërmarrësisë.

Gjithashtu Oda ka dhënë kontribut të çmueshëm në trajnimin dhe aftësimin profesional të anëtarëve të vet për kryerjen e një sërë aktivitetesh, duke ua siguruar licencimet e nevojshme kombëtare dhe ndërkombëtare.

Duke prezantuar raportin e auditorit të pavarur lidhur me pasqyrat financiare të Odës, kryetar i Këshillit Mbikëqyrës, Milazim Zeqiraj theksoi faktin se pas një punë shumë të madhe raporti i vitit 2015 është jashtëzakonisht i mirë dhe se auditori ka konstatuar se “pasqyrat financiare paraqesin në mënyrë të drejtë, në të gjitha aspektet materiale, pozicionin financiar të Odës Ekonomike të Kosovës më 31 dhjetor 2015, performancën e saj financiare dhe rrjedhën e saj të parasë për vitin e përfunduar në përputhshmëri me politikat dhe procedurat e kontabilitetit të paraqitura në pasqyrat financiare shoqëruese”.

Zeqiraj tha se ky është raporti më i mirë i mundshëm, i pakualifikuar dhe në të nuk ka asnjë vërejtje.

Kuvendi i Odës gjithashtu aprovoi edhe disa ndryshime statutare të cilat do të fillojnë të implementohen para kuvendit zgjedhor, në tremujorin e fundit të vitit 2017.

Organi më i lartë i Odës aprovoi edhe planin financiar për vitin 2017 i cili do të mundësoj realizimin e objektivave të parapara.

Kuvendi aprovoi edhe raportin e punës së Tribunalit të Përhershëm të Arbitrazhit për vitin 2015-2016 dhe emëroi arbitrat e rinj dhe për kryetar zgjodhi avokatin e mirënjohur Virtyt Ibrahimaga.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme