OEK: Reformat e filluara në ekonomi, të vazhdojnë

Prishtinë | 13 Maj 2017 | 11:37 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka publikuar rezultatet e studimit “Klima e biznesit në Kosovë”. Ky studim është projektuar për të identifikuar dhe artikuluar pengesat e të bërit biznes për komunitetin e biznesit në Kosovë dhe parashikimin e trendëve të ekonomisë së vendit në periudhë tre mujore dhe periudhë ciklike gjashtë mujore.

Sipas publikimit ka dalë që 85 për qind e bizneseve e kanë vlerësuar klimën e biznesit si të kënaqshme. Megjithatë u theksua se duhet të ndahet politika nga ekonomia dhe se reformat e filluara në ekonomi të vazhdojnë, raporton Ekonomia Online.

“Edhe pse nga ky raport kemi pasur rritje të besueshmërisë, në të ardhmen mendohet që falë aktualitetit politik, do të ketë rënie të besueshmërisë në institucione në tre muajt e ardhshëm”, ka thënë kryetari i OEK-ut Safet Gërxhaliu.

Sektori i prodhimit ka tregtuar një gjendje më të mirë të biznesit në këtë tremujor, pasuar nga sektori i ndërtimit. Pritjet më të larta për punësim i kanë sektori i ndërtimit (56%) dhe ai i prodhimit (55%); pritje pak më të zbehta në punësim ka sektori i tregtisë me pakicë (29%).

Pritjet për të ardhmen janë optimiste për të gjithë sektorët. Pritjet më me ndikim vijnë nga sektori i prodhimit dhe shërbimeve. Nga ana tjetër, sektori i tregtisë me pakicë dhe ai i tregtisë me shumicë kanë pritje pak më të zbehta krahasuar me sektorët tjerë. Sidoqoftë, pritjet janë shumë optimiste.

Indikatori i konfidencës ka shënuar një rritje prej 15.8 % këtë tremujorë. Besimi i bizneseve u rrit konsiderueshëm shumë. Konfidenca e bizneseve në këtë periudhë është 21.3.

Barrierat kryesore janë vlerësuar mungesa e mjeteve financiare, kamata e larta bankare, ngecjen në pagesën me kohë të obligimeve nga ana e konsumatorëve dhe mos liberalizimi i vizave i cili është duke ndikuar në mënyrë shumë negative në të bërit biznes.

“Sfida këto që ndikojnë në uljen e trendëve pozitive në sektorin privat. Pa marr parasysh aktualitetin politik, ekonomia duhet ta ketë prioritetin. Kemi një Pako Fiskale, që sektori privat besoj që edhe përkundër kësaj që është krijuar në skenën politike është kohë që proceset ekonomike të vazhdohen. Mbi interesat e partive politike duhet të jetë interesi shtetëror dhe një shtet që nuk ka substancë dhe qëndrueshmëri ekonomike ai shtet nuk ka ardhmëri”, tha kreu i OEK-ut Gërxhaliu.

Ai theksoi se problemi kryesor i vitit 2017 është mosliberalizimi i vizave.

Ndërsa, sa i përket punësimit ai ka thënë se pritjet janë tejet pozitive.

“Në këtë raport problemi i papunësisë është paraqitur në mënyra të ndryshme, por vet fakti që 42 për qind e kompanive presin që të rrisin numrin e punëtorëve, është një rezultat që duhet të na inkurajoj në mënyrë që t’i mbështesim reformat ekonomike”, tha ai.

Sektori i prodhimit sipas analizës, ka treguar një gjendje më të mirë në këtë tremujor, sikurse pritjet për të ardhmen kanë dalë tejet optimiste për të gjithë sektorët.

Gërxhaliu tha se janë vërejtur efektet e Pakos Fiskale, ndërsa bëri thirrje aktorëve politikë që të mos ndalet rruga e nisur për Pakon Fiskale 2.

Ministrja në largim e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, tha se për dy vite me radhë kanë vënë një standard të pa parë ndonjëherë në mes të institucioneve dhe sektorit privat “dhe kjo tanimë është bërë normë”.

“E kemi dëshmuar që politikat ekonomike të suksesshme, janë ato që bëhen vetëm në bashkëpunim me komunitetin e biznesit. Pa marrë parasysh jetën politike, është mirë që jeta institucionale të vazhdojë”.

“Përmirësimi ambientit të biznesit nuk është vetëm vlerësim i bizneseve, ne jemi vlerësuar edhe nga raporti i Bankës Botërore dhe ka plotë institucione tjera që kanë njohur kredibilitetin e institucioneve tona”, tha ajo.

Ministri në detyrë i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, tha se të gjitha politikat që i kanë zhvilluar, secila e ka dhënë efektin e saj.

“Patjetër që për nxitjen e punësimit ndikim kanë dhënë edhe politikat e tjera siç është Pakoja Fiskale 1. Trendët edhe për të ardhmen janë të mëdha… Në mënyrë që të ecim edhe më përpara duhet ndihma e të gjithë atyre që përfaqësojnë interesat e biznesit në funksion të rritjes së vendeve të reja të punës”, tha Abrashi.

Ndërsa, ministri në largim i Financave, Avdullah Hoti, tha se komunikimi që kanë vendosur me bizneset u ka ndihmuar për veprimet që duhet të ndërmarrin.

“E kam lexuar hulumtimin dhe rezultatet konfirmojnë përmirësimin e padiskutueshëm të ambientit të biznesit dhe në veçanti është përmirësuar klima për rritjen e punësimeve. Ky raport tregon edhe për punën që kanë bërë institucionet e vendit. Bizneset i besojnë më shumë qeverisë sesa para dy viteve”, tha ai.

“Sot kemi mbi 40 000 persona të regjistruar si të punësuar të rinj. Jam i bindur që edhe kaq janë në sektorin joformal…”, tha ai.

Ministri Hoti ka përmendur rezultatet pozitive të cilat i ka dhënë Pakoja Fiskale një duke theksuar se për shkak të lirimeve doganore në buxhet janë inkasuar 47 milionë euro më pakë, por njëkohësisht në periudhën 2014 -1016 janë inkasuar 400 milionë euro më tepër të hyra buxhetore.

Ai ka kërkuar mirëkuptim që nuk ka arritur përfundimisht të aprovohet në qeveri Pako Fiskale II.

“Shumica e masave janë të zhvilluara përmes draft-udhëzimeve administrative. Dy herë ka qenë në rend dite në qeveri, por është hequr për arsye që nuk dua të zgjatem. Pres të konstituohen institucionet pas zgjedhjeve dhe të vazhdojmë bashkëpunimin që kemi pasur”, ka thënë Hoti.

Të ngjashme