Administrata Trump e trajtoi Kosovën si monedhë për kusuritje

Prishtinë | 23 Nën 2020 | 15:54 | Nga Milazim Krasniqi

Zhozep Borrel po tregon qartë që ka ekzistuar një plan për shkëmbimin e territoreve: “Disa muaj më parë kishte një propozim për të shkëmbyer territore. Por kjo nuk është më një mundësi”.

Nga ana e vet, ish sekretari amerikan i sigurisë, Xhon Bollton, këtë e ka pranuar shumë më herët: “Në rastin e Kosovës dhe të Serbisë, ka pasur indikacione herët në vitin 2018 që liderët synonin që ato çështje t’i zgjidhnin sepse e shihnin që nuk mund të realizojnë zhvillim të pavarur ekonomik dhe stabilitet deri sa raportet e tyre nuk normalizohen. Ishte kjo shumë kundërthënëse brenda atyre shteteve, por mua m’u duk që ia vlente përpjekja. Njëra nga gjërat që u diskutua ishte edhe mundësia e shkëmbimit të territoreve”.

Duket sheshit që Bolltoni ishte brenda asaj skeme, brenda atij komploti. Këtë gjë e ka konfirmuar shumë më herët Kameron Manteri, autori i projektit të parë për shkëmbimin e territoreve.

Manteri ka pohuar se ai personalisht ia ka paraqitur projektin për shkëmbimin e territoreve pikërisht Xhon Bolltonit. Si duket, kompromentimin e kësaj përpjekjeje komplotiste, presidenti Tramp u mundua ta mbulojë, duke angazhuar Grenellin në një projekt thjesht ekonomik dhe duke e shkarkuar Bolltonin.

Por për të gjithë ata që marrin vesh në këto punë, shija e hidhur ka ngelë. Së paku në këtë rast tendenca ka qenë nga administrata Tramp, që Kosova të trajtohej si monedhë për kusuritje. Për këtë jam tashmë i bindur.

Nuk po kërkoj ta bind askend. Por as nuk po kërkoj mendimin e askujt. Unë analizoj vetëm faktet. Jo dëshirat, aq më pak iluzionet.

Të ngjashme