“Albin Kurti do të jetë alfa dhe omega e krijimit të Qeverisë së ardhme”

Prishtinë | 06 Gus 2019 | 18:22 | Nga Driton Smakaj

Pak analizë politike e ftohtë, pa akull.

Tash këtyre ditëve mes oponentëve politik do të kemi lloj-lloj informacionesh në fb. Do të ketë vija të kuqe e vija të zeza. Do të kemi edhe sharje e akuza të lloj-llojshme. Tradhtarë e patriotë, të lidhur me çarçe të caktuara e të palidhur.

Të gjitha këto lloj përplasjesh nuk do kenë aspak ndikim në opinionin publik. Kjo për faktin që të gjithë liderët e të gjitha partive ndër vite kanë bërë pazarllëqe mes vete për të ndarë Pushtetin dhe bash asgjë nuk kanë bërë për mirëqënien e RINISË.

Të rinjtë klasën politike në Kosovë e shohin si zhvatës të parasë publike dhe si vrasës të ëndrrave të tyre. Kjo situatë është e trishtë dhe do ketë efektin e vet në ditën e votimeve.

Partitë e dala nga lufta, kanë bërë lloj-lloj manovrimesh për të qenë pjesë e Pushtetit. Këto politika manovrimesh, ku shumë shërbyes të Jugosllavisë si dhe bijtë e tyre u rahatuan nëpër institucione publike, ua kanë humbur liderëve të luftës kredibilitetin e qënësisë kombëtare. Kjo gjë, ua ka humbur një përqindje të madhe të votave. Këta votues me gjasë nuk do votojnë partitë tjera, por nuk do të dalin fare në zgjedhje. Mos dalja e tyre i dëmton liderët e partive të dala nga lufta.

LDK-ja ka bërë çmos për të qenë boshti i Pushtetit. Për LDK-në personalisht kurrë skam pasur fjalë të mira, por kjo nuk është e rëndësishme. LDK-ja edhe ashtu është një gërmadhë në rënie pingule. Në krye të saj ata kanë filluar të akuzojnë njëri-tjetrin si argat të Rrahman Morinës. LDK-ja nuk ka shpëtim. Ata do të rrëzojnë njëri-tjetrin. Efekti domino veç ka filluar.

Tash në një situatë kaq të turbullt mes elektoratit të partive që kanë ndrruar karrigat e Pushtetit në këto 20 vitet e fundit, e kemi në njërën anë elektoratin e VV-së që janë jashtëzakonisht aktiv. Këta do e shfrytëzojnë në maksimum këtë kaos të krijuar politik dhe gjendjen konfuze të vendit. Natyrisht këta do të akuzojnë partitë tjera si përgjegjëse për këtë situatë kaotike, çka edhe kanë të drejtë, sepse mbajtja e Pushtetit të bën edhe përgjegjës për mos-zhvillimin e vendit dhe mos-funksionimin e institucioneve në të mirë të qytetarëve.

Akuzat patriotike apo të tradhtisë kombëtare, apo çfardo lloj etiketimi të Albin Kurtit, nuk do ketë efekt negativ në popullaritetin e tij, sepse elektorati i VV-së janë gjeneratë e internetit. Këta i kanë përcjellur Partitë në Pushtet me vite dhe i kanë pa me sytë e vet se si janë rahatuar ish-jugot dhe bijtë e tyre në institucione vitale të vendit. Në anën tjetër, nuk e kanë kaluar në Kuvend Ligjin e Lustracionit, pikërisht sepse janë pajtuar me bashkëpunua me ish-jugot.

Me një fjalë karta patriotike e liderëve të partive të dala nga lufta, është hargjuar. Edhe atë është hargjuar komplet. Zero efekt.

Me një fjalë, VV-ja, ose thjeshtë Albin Kurti do të jetë alfa dhe omega e krijimit të Qeverisë së ardhme. Personalisht e kam kritikuar dhe mbetem një kritik i ashpër i Albinit për konfuzionin patriotik të tij; mbanë njerëz pranë vetes që urrejnë Skënderbeun (flas për Prizrenin), filtron me shamitë e zeza, ka pasur një qasje të çuditshme ndaj Republikës së Kosovës si të tillë.

Por, në anën tjetër ka një qasje më konkrete ndaj korrupsionit dhe për këtë do të ketë gjithnjë e më shumë mbështetje.

Ende nuk e harroj që e patën fillua si VV me 72 akuza kundër Isa Mustafës kur e morën Prishtinën, por ndoshta ia ngulën miqtë që u ndanë nga ai. Ose Albini ua nguli atyre. Këtu nuk është e thjeshtë ndarja në dysh e VV-së.
Sidoqoftë, në këtë mjegull të turbullt, votuesit nuk kanë për t’i kujtuar këto gjana, meqë të rinjtë po presin ndryshime, e të vetmen Parti që nuk e kanë provua, është VV. Kështuqë padyshim do të ketë rritje në zgjedhjet e ardhme.

Nëse Albini hyn në koalicion parazgjedhor me LDK-në, atëherë realisht është zhgënjim për shumë votues të VV-së, sepse bie ndesh me parimet e VV-së. Njeriu i akuzuar nga vet VV-ja për keqpërdorime në Komunën e Prishtinës, me 72 dosje në Prokurori (që kurrë asgjë su bë me to), sot është Kryetar i LDK-së. Isa nuk futet kot në koalicion pa një marrëveshje. Çdo marrëveshje për heshtjen e dosjeve, përbën bashkëpunim të drejtpërdrejt me krimin. Kjo do të nënkuptonte mashtrim industrial të rinisë për një Kosovë ndryshe.

Sidoqoftë, KURTHA politike në Kosovë është tepër e gjerë, shumë politikanë kanë rënë në rrjetin e marimangës së lakmisë dhe Pushtetit.

Derisa Parlamenti i Kosovës nuk e kalon Ligjin e Lustrimit për të pastruar Partitë Politike nga individët me të kaluar të dyshimtë dhe me lidhje me krimin, atëherë do kemi vetëm ZGJEDHJE, por jo ZGJIDHJE.

Vjeshta do të jetë interesante. Do të shohim se kjo analizë nga jashtë Kosovës a do të jetë afër me realitetin apo jo.

Të ngjashme