Edi Rama dhe Ballkani i Hapur

Prishtinë | 26 Shk 2022 | 17:58 | Nga Afrim Kasolli

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një konference për media kur është pyetur nga gazetaret se çfarë qëndrimi do të mbaj tash e tutje për Ballkanin e Hapur, paska deklaruar se “ne nuk kemi pasur mungesë informacioni në politikën e jashtme të Serbisë kur kemi nisur këtë proces. Nuk kemi pritur të sulmohet Ukraina që të zbulojmë lidhjet e Serbisë me Rusinë”.

Pra, që i bie se nuk është s’e nuk e kemi ditur se kush është Serbia. Atëherë, do të thosha aq më keq kryeministër, Rama. Sepse, keni pasur informata paraprake për qëndrimet e politikës së jashtme serbe, por përsëri jeni mishëruar me atë projekt dubioz.

Uroj që të mos jeni nxituar nga iluzionet se me anë të kësaj nisme, keni shpresuar ta divorconi Serbinë nga lidhjet simbiotike me Rusinë dhe t’ia zbuloni një dashuri të re. Apo ta ndërgjegjësoni “mikun Aleksandër”, për shizofeninë e tij politike dhe ta ndaloni këtë qëndrim politik të shtetit serb, që sic dihet e ndjek gati që dy shekuj. Diçka që nuk kanë arritur ta bëjnë ende as fuqitë perëndimore, përkundër insistimeve shumta në këtë drejtim.

Me këtë nuk po them se jeni tradhtar. Larg asaj! As që jeni kryeministri më i dëmshëm i Shqipërisë. Përkundrazi, ju jeni i domosdoshëm për pozitën që mbani. Sidomos, në rrethanat aktuale ku ndodhet politika shqiptare.

Madje, nuk jeni rastësisht në rolin e të parit të qeverisë shqiptare. Dhe atë, me një mbështetje masive popullore. Ngase, kur sheh njeriu batërdinë aktuale të Sali Berishës, apo çekuilibrin mental dhe emocional të Ilir Metës, vërehet qartë se shoqëria shqiptare nuk ka alternativë tjetër në këto rrethana.

Por, po flasim për një gabim strategjik. Sepse çdo tentim për tu përafruar Tirana me Beogradin, qoftë edhe për tema ekonomike, pa u mbyllur raportet e Kosovës me Serbinë, nuk i kontribuon çështjes sonë. Po ashtu, konstatimet tuaja se Kosova nuk ndodhet në një pozicion të lakmueshëm ndërkombëtar, nuk mund të mohon.

Megjithatë, rruga për të korrigjuar këtë dështim, dyshoj që mund të jetë Ballkani i Hapur.

Sidoqoftë, ky gabim nuk e zbeh rolin dhe angazhimin që keni mbajtur sa herë që u është dhënë mundësia për çështjen e Kosovës. Lobimin pro saj. Ende i kemi të freskëta kujtimet, kur ju, mu në mes të pallatit presidencial në Beograd, me një zë plotë fisnikëri dhe qëndrim krenar, folët për detyrimin që e ka Serbia ta njoh pavarësinë e Kosovës. Ajo pamje jehon ende në mendjen tonë.

Me paraqitjet tuaja, ju ende vazhdoni ta mbani një vend sipëran në kulturën politike shqiptare. Me anë të oratorisë, retorikës dhe arsenalit letrar që e posedoni, të shumtën e herave e keni e qesëndisur shfaqjen politike me një pelerinë artistike. Diçka e rrallë te ne. Dhe jo pak herë keni ditur ta lartësoni imazhin e shqiptarëve në sytë e opinionit ndërkombëtar.

Janë të paharrueshme skenat në mes të Parisit, kur mijëra njerëz nmga cdo cep i planetit ishin mbledhur për të përkujtuar viktimat e sulmeve terroriste,deri sa ju u shfaqet para syve të botës më klerikët e komuniteteve fetare të Shqipërisë. Dhe kështu i treguat njerëzimit për praktikat tona ekumenike, tolerancën ndër-fetare si dhe i dëshmuat botës se në kodet kulturore të këtij populli mund të gjenden thesaret e fisme shpirtërore kundër fanatizmit religjioz dhe terrorizimit si epifenomen i tij.

Mirëpo, insistimi me çdo kusht në mbrojtje të projektit Ballkani i Hapur, ishte një gabim kryeministër. Sepse,me gjithë dëshirën tuaj të ethshme për ta harruar historinë për hir të vëllazërisë ekonomike, mjerisht ajo dinë të rikthehet, dhe atë në forma tragjike. E kriza në Ukrainë po e dëshmon edhe një herë potencën e këtij ligji të pashkruar të historisë. Apo siç ka thënë shkrimtari ynë i njohur, Ismail Kadare, “Ra ky mort e u pamë”

Të ngjashme