Evropën do ta quaj si Fishta dikur, Amerikën të degjeneruar…

Prishtinë | 30 Sht 2018 | 19:45 | Nga Edison Ypi

Po të më blejë e djathta do veproj në këtë mënyrë; në emër të seriozitetit, konservatorizmit, vlerave kombëtare, por me britma patetike si ekstremist majtist, si revolucionar i paepur, do tund dheun, do ja shkul së majtës dhëmbë e dhëmballë.

Si fanatik i pamposhtur, si militant i kudondodhur konservativ, favoret që më ka bërë partia do di t’i mbroj edhe me atë lëngun e kuq që quhet gjak. Në 364 ditë do t’i zhvat Shqipërisë ç’të më zërë dora, ndërsa në ditën e 365-të do ngre lart një flamur me shkabë që nxjerr zjarr nga goja duke e valavitur era. Do uluras me gishta në vesh “o sa mir me ken shqiptar, o sa keq me ken amerikan”.

Pa luajtur vendit, do shkruaj në rrjetet sociale statuse mallëngjyese mbi padrejtësitë historike që i janë bërë Shqipërisë në shekuj duke e katandisur sa më të vogël. Europën do ta quaj si e ka quajtur Fishta “kurva plakë”. Amerikën të degjeneruar. Perëndimin të korruptuar. Ambasadorët e tyre do t’i shaj shtatë breza me libër shtëpie. Do ngre në qiell, lindjen, Turqinë, Arabinë, mullirin e kafes, shilten, haremin, lëngun e shegës.

Do llap gjithandej për t’i bërë të ditur Amerikës se po na bëri shtetin e 51, nuk kemi kundërshtim. Pasi të futemi në gjirin e saj të ngrohtë, pa llogaritur Zërin e Amerikës që e kemi mposhtur dhe albanizuar me kohë me anë të Sigjrimit, s’do lemë gur pa lëvizur pa ja zhvatur Amerikës Hollivudin, Internetin, Alaskën. Nëse nuk na bën shtetin e 51, në djall Amerika me gjith Uillsonin, Harry T. Fultz-in, ambasadorët e saj, diversantat, bombardimin e Serbisë, pavarësinë e Kosovës. Do hiqem dhe si shkrimtar, si poet, përmes ca lëtyrave letrare.

Në bashkëpunim me ca çapaçulë, ato këllira do t’i paraqes si kryevepra përmes falenderimeve dhe komplimentave reciproke në formën e një katarakti qurresh më të madh se uji që do bjeri nga diga e hidrocentralit të Moglicës. Nuk do tu dal kurrë në krah liderëve të djathtë edhe në rastet e shpifjeve më të ndyra që do tu bëjnë të majtët. Dy duar për një kokë. Le të mbrohen vetë ata. Me të majtët nuk do merrem në emër të Etikës por nga nga frika, se janë të gojës dhe të marrin erzin ata dreqër. Luani vendit ju ish deputetët dhe ish ministrat e së djathtës që keni vjedh si n’harradoz. Mos u hiqni si shenjtorë. Më blini sa më parë. Po s’më bletë ju, shitem tek e majta. Për të blerë njerëz si unë, të majtët nuk i kursejnë paret.

Fill pasi të më blejnë të majtët, do tu premtoj se nga njëra anë do vjedh me të gjitha mënyrat, nga ana tjetër me lot krokodili në sy dhe rënkime mallëngjyese prej hoxhe ose prifti do hiqem si mbrojtës i fukarenjve, të cilët i urrej, por më duhen për propagandë. Në të gjitha gazetat, sidomos ato të Sigurimit ku mund të shkruash edhe me pseudonim, do ta paraqes sikur në Shqipëri nuk ka pasur kurrë burgje dhe internime. Vetëm nomenklaturistë që kanë rivalizuar me njëritjetrin përmes historive rozë, deri në inceste të paimagjinueshme nga masat popullore në kundërshtim flagrant me mësimet e pavdekshme të shokut kurvi. Krerët e së majtës nuk do ti mbroj drejtpërdrejt por tërthorazi duke sulmuar pa mëshirë krerët e së djathtës. Kujdes të veçantë do bëj ta zmadhoj sa më tepër hambarin e paçmuar të së majtës shqiptare, budallallëkun e të djathtëve. Do ngre në qiell fanatizmin e tyre, egoizmin, perceptimin bukolik të jetës dhe botës, që bashkë me hajvanllëqet në arenën ndërkombëtare, do jenë kuajt e luftës time për tkurrjen e pandalshme numerike elektorale të së djathtës. Jo aq sa e majta ti marri të gjitha votat duke e lënë të djathtën me biberon në gojë, çka vërtet do ta rrënonte të djathtën e mykur, por njëkohësisht do bënte të pabesueshme të majtën e ndritur, dhe do dëmtonte pluralizmin. Më pak.

Me gjithë këto premtime që po bëj dhe garancira që po jap tani që ndodhem mbi tezgë gati për tu shitur, mund të ngjall zilinë dhe rivalitetin e dy krahëve për të më patur. Ku ma gjen të shitem edhe te e djathta edhe te e majta. Nga asnjëra te të dyja, do ishte ideale. Un me kontribute të shquara, ata me pare të vjedhura, do korrim fitore të njëpasnjëshme.
Nëse nuk do më blejë as e majta as e djathta, do shitem te e veja e diktatorit. Nuk do mi kursejë kuçedra në prag ngordhje ca kacidhe marksiste leniniste që i ka qime bythe si dhurate Zotit për t’ja shpëtuar nga flakët e Ferrit shpirtin inekzistent.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme