Fitorja ideologjike e opozitës dhe humbja politike e saj

Prishtinë | 30 Jan 2022 | 12:50 | Nga Afrim Kasolli

Shumëkush këto ditë ka ngritur dilemën se pse opozita parlamentare në Kosovë vazhdon të mbetet e qulltë dhe inerte ndaj veprimeve të fundit të qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti, sidomos në lidhje me pajtimin e saj me rekomandimin e ZRRE-së për ngritjen e çmimit të energjisë dhe indiferencën ekzekutivit përballë rritjes astronomike të çmimeve tjera artikujve ushqimorë. Spekulime nga më të ndryshmet kanë qarkulluar në lidhje me këtë “mister”.

A mos është ajo e shantazhuar nga pushteti, prandaj edhe ka zgjedhur pajtimin kokulur përballë reagimit publik, apo po kalkulon politikisht se me këtë qasje do të mund më lehtë ta diskreditojë kryeministrin dhe ta zhvleftësojë retorikën e tij mesianike që e kishte kultivuar sa ishte në opozitë? Janë vetëm disa nga pandehmat që kanë mëtuar ta zbërthejnë këtë enigmë politike.

Mirëpo, përtej këtyre supozimeve që as nuk mund t’i pohoj as t’i mohoj, personalisht gjykoj, se kjo sjellje konfuze e opozitës parlamentare përballë çështjeve të sipërpërmendura kushtëzohet edhe nga diçka tjetër. Nga besimi doktrinar që ajo ka promovuar ndër vite. Nga bindja e saj ideologjike mbi shenjtërinë absolute të tregjeve. Dhe nga propagandimi politik i aftësisë vet-rregullative që e posedon ky model ekonomik. Në fund të fundit a nuk ishte kumtuar procesi privatizimit, pjesë e të cilit ishte KEDS-i, si parajsa që po na pret, nga kjo opozitë. Dhe se ishte ajo që mbronte idenë se shteti kurdo që ndërhyn në këtë aktivitet spontan vetëm sa shpërdoron mrekullinë magjike që e posedon ky mekanizëm me status gati hyjnor. A nuk u zhvillua një betejë gati groteske në skenën tonë politike për t’u pozicionuar vetëm në spektrin e djathtë ideologjik? Dhe se çdo thirrje për politika intervecioniste që e marrin parasysh edhe sigurinë sociale, u diskualifikua si e inspiruar nga modeli i dështuar i Hugo Chávez-it.

Aq banale ishte bërë kjo retorikë saqë edhe “Nouveau riche” e ish-pushteteve të kaluara çdo gjë e shpjegonin me shkathtësinë e tyre për t’u orientuar në mënyrë racionale me parametrat e këtyre rregullave të reja socio-ekonomike. Kurse kushdo që nuk i gëzonte këto privilegje ishte viktimë e irracionalitetit të tij. E paaftësisë për t’u përshtatur me “frymën e kohës”.

Rrjedhimisht, janë këto kundërthënie që në thelb e paralizojnë një veprim më proaktiv të opozitës aktuale. Sepse, çdo pozicionim serioz i saj kundër politikave aktuale qeveritare do ishte qëndrim armiqësor ideologjik ndaj vetvetes. Ndaj asaj që ajo e ka proklamuar dhe implementuar si strategjia e vetme për shtegdalje nga stagnimi ekonomik ku gjendej Kosova. Në fund të fundit, sot kryeministri vetëm sa po i zbaton rregullat që ajo i kishte dizajnuar sa ishte në pushtet. Prandaj, çdo thirrje e saj për një angazhim qytetar kundër kësaj qeverie, pa treguar se a është divorcuar nga doktrinat që ka mbrojtur deri më tani, do ishte vetëm reagim ndaj një personi, por jo edhe besimeve të saj. Dhe se në qëndrim i tillë vetëm sa do ta thellonte disonancën e saj.

Realisht shoqëria dhe politika kosovare sot është kurthuar nga një paradoks i çuditshëm. Sepse kemi një opozitë që po fiton ideologjikisht mirëpo që ka humbur politikisht. Dhe kemi një pushtet që ka fituar politikisht por që po humb ideologjikisht. Pra njëra palë po korr fitore nëpërmjet humbjes, kurse tjetra po humb nëpërmjet fitores. Është ky vakum i shumëfishtë që vetëm sa po e përkeqëson krizën dhe thellon dëshpërimin përgjithshëm shoqëror dhe politik.

Të ngjashme