Gabimologjia si “disiplinë” që zëvendëson mendimin shkencor dhe të vërtetën

Prishtinë | 21 Dhj 2018 | 21:33 | Nga Milazim Krasniqi
Ngado që të hedhësh vështrimin në jetën shqiptare, do të kesh përballë grumbuj problemesh të pazgjidhura, për “zgjidhjen” e të cilave konkurojnë paralelisht disa versione, të gjitha si “të vërteta përfundimtare.” Si të tilla ato krijojnë konfuzion, ose komplikime të reja. Sprovat e gabueshme, që mbahen gjoja për të zgjidhur problemet, mund të krahasohen me terapinë joadekuate, e cila pacientit mund t’ia komplikojë gjendjen edhe më shumë, ndërsa për t’ia përmirësuar as që mund të bëhet fjalë. Shembuj të tentimeve për të zgjidhur problemet me qasje të gabueshme ka gjithandej në jetën tonë dhe në dijet tona, veçmas në ato albanologjike.
Kur çështja është më e paqartë në fund se sa në fillim
Po e sjellim për ilustrim një rast të padëmshëm: kohë më parë u zhvillua një diskutim bukur i zjarrtë lidhur me aktorin që do të duhej ta luante rolin e Adem Jasharit në një film. Ndonëse skenari nuk është shkruar ende e as miratuar ende si projekt, polemikat për filmin e paqenë esklauan me propozime në tym, hamendësime, polemika, fjalamujtje. Pati edhe gënjeshtra, lidhur me mundësine që rolin e heroit tonë ta luante një aktor me renome botërore, por që ka prejardhje serbe. Prej këndej u bë batërdia në komunikimet në media e rrjete sociale. Propozimin e shpifur e konkuruan pastaj edhe propozime të tjera, por jo ndonjë diskutim mirëfillimi profesional. Në fund të xhurrulldisë, konfuzioni ishte më i madh se sa në fillim. Asgjë nuk u sqarua, asgjë nuk u argumentua, asgjë nuk u filtrua. Fatkeqësisht, shumica e problemeve dhe çështjeve në jetën tonë shoqërore, politike, kulturore, sportive historike, madje edhe fetare, janë brenda kësaj skeme, pra, diskutohen pa argumente, pa mbulesë dhe riciklohen si probleme e si tema vazhdimisht, pa u zgjidhur asnjëherë. Vetëbllokim në vetëkënaqësi, mund të emërtohet kjo prirje. Ky vetëbllokim në vetëkënaqësi e përshkon edhe mendimin shkencor, më së shumti atë historiografik, ose të themi albanologjik.
Meqë tash katër decenie merrem aktivisht me studimin e letërsisë, kulturës dhe historisë shqiptare, tashmë e kam të qartë se njëra nga shkaqet për ngecjen dhe konfuzionin tonë lidhur me problemet që kemi, është ky lloj vetëbllokimi në vetëkënaqësi, që realisht është paaftësi për t’i zgjidhur problemet, më saktë paaftësi për t’i emërtuar gjërat me emrin e vërtetë dhe për t’i eliminuar gabimet që shfaqen në tentativat për t’i zgjidhur problemet. Më të shumtën e rasteve, gjërave u jipen emra dhe vlerësime të pavërteta, ose pjesërisht të vërteta, gjë që bëhet me synimin që të promovohen bëma e heronj në përmasa heroike e legjendare, pa qenë të tilla në realitet. Në të njëjtën kohë lihen të bashkëjetojnë disa versione a narracione për të njëjtën ngjarje a figurë, pa arritur që të eliminohen supozimet, hamendësimet, të pavërtetat. Bashkëjetesa e tyre mundëson që secili individ a grup të marrë “pjesën e vet” të ngjarjeve, figurave, historisë, të identifikohet me të, të manipulojë me të. Qasja sipas të cilës secili mund ta interpretojë çështjen sipas hesapit të vet, quhet “dykuptimësi konstruktive”, por në rastin tonë shqiptar ajo faktikisht duhet të quhet si “shumëkuptimësi destruktive.” Narracionet jo vetëm e kundërshtojnë njëra-tjetrën, por edhe e eliminojnë kredibilitetin e subjekteve, duke lënë shkretihane pas vetes.
A mund të na ndihmojë neve teoria e Poperit
Për të kuptuar dëmin e kësaj forme të të vepruarit në studimet tona albanologjike, na ndihmon koncepti i Karl Poperit lidhur me procesin shkencor. Sipas Poperit një proces shkencor për zgjidhjen e problemit kalon nëpër tre faza: 1. problemi, 2. sprovat e zgjidhjes dhe 3. eliminimi (i sprovave që rezultojnë të gabueshme.) Për ta thjeshtëzuar për këtë rast skemën e tij: ekzistojnë problemet, para të cilave ne gjendemi dhe nuk dimë si t’i zgjidhim. Pastaj ne fillojmë përpjekjet që të gjejmë zgjidhjen e tyre, me ç’rast provojmë mënyra të ndryshme. Ato mënyra shumë herë janë të pasakta, të gabueshme dhe nuk e zgjidhin problemin. Ne tentojmë edhe më tutje, deri sa të vijmë në një sprovë, e cila e zgjidhë problemin. Kur e zgjidhim atë problem, ne tashmë e dimë se më nuk kemi nevojë t’i përsërisim përpjekjet e pasakta, të gabueshme, pra thjesht i eliminojmë gabimet. Ne mbajmë vetëm atë opsionin që na e ka siguruar zgjidhjen e problemit. Kështu ndodhë kapërcimi dhe zëvendësimi i teorive dhe interpretimeve të pasakta me ato të sakta, zgjidhen problemet dhe zhvillohet mendimi dhe praktika shkencore.
Jo vetëm në shkencë, po edhe në jetë, kombet që e kanë mbështetur zhvillimin e vet në një kësi koncepti, pra, të zgjidhjes së problemeve dhe të eliminimit të gabimeve, janë zhvilluar në mënyrë të hovshme. Ndërsa kombet që nuk e kanë kuptuar këtë mënyrë të funksionimit të mendimit dhe veprimit jetësor, po edhe shkencor, janë ngulfatur nga problemet, të cilat vazhdojnë të tentojnë t’i zgjidhin me sprovat e gabueshme, të cilat nuk i kanë eliminuar.
Ne shqiptarët dhe dijet tona albanologjike, shumica e tyre, pa dyshim biem në grupin e kombeve dhe dijeve që veprojnë kështu, pa i eliminuar sprovat e gabueshme. Ja disa nga problemet e pazgjidhura në mendimin tona albanologjik: nuk është eliminuar ende qasja skandaloze sipas të cilës lufta e parë ballkanike ka qenë çlirimtare, ndërsa e vërteta është se ajo ka qene luftë gjenocidale kundër kombit shqiptar. Pra, mbahet hipoteza se Perandoria Osmane ka qenë e keqe, ndërsa gjenocidin kundër shqiptarëve e kanë bërë serbët, grekët, malazezët dhe bullgarët. Dykuptimësi ka edhe lidhur me Luftën e Dytë Botërore përkatësisht instalimin e regjimit komunist në Shqipëri. Bile ende nuk ka pajtim as për datën e saktë të çlirimit të Shqipërisë nga nazifashizmi. Edhe lidhur me figurën e Enver Hoxhës, mbahen narracione të kundërvëna, rivalizuese, pa arritur në një sintezë se cili ishte roli i tij i vërtetë. Secili është i prirur të shkojë në arkiva me teza të gatshme, pra, që të selektojë vetëm atë që kërkon, e jo të gjitha të dhënat që do të ndriçonin rolin e vërtetë të tij, pasojat që ka shkaktuar për shtetin dhe për shqiptarët.
Tash që u sollën eshtrat e Mid’hat Frashërit në Shqiëri, sërsh shpërthyen polemika lidhur me rolin e tij e të Ballit Kombëtar. Pra, as pas 74 vjetëve historiografia shqiptare nuk e ka gjetur të vërtetën, veçse vazhdon me stereotipet e vjetra ideologjike. Njësoj është në Kosovë lidhur me demonstratat e vitit 1968, 1981, lidhur me rolin e LDK-së, madje edhe lidhur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Për secilën ngjarje, praktikisht secili e ka mundësinë të tregojë e të vlerësojë si ia ka ëndja, si i levërdis, si mund të përvehtësojë diçka, si mund të fshehet diçka, etj. Ndërsa, për këto periudha do të duhej tashmë që mendimi shkencor të ishte filtruar e të kishte një qartësi të verifikueshme, duke eliminuar vetëvlerësimet, pandehmat, manipulimet e individëve dhe të grupeve të interesit. Gjendje të njëjtë kemi edhe për ngjarje e figura të tjera në gjithë historinë tonë, që nga problemi i prejardhjes e deri te lufta e fundit çlirimtare në Kosovë. Fjala vjen, për luftën e fundit janë bërë shumë narracione nga pjesëmarrës e nga historianë që shkruajnë me porosi. Sipas këtyre narracioneve, konkurojnë shumë versione për të njëjtën ngjarje, pa u eliminuar ato që janë më pak të vërteta, më pak të besuesshme, më pak relevante. E gjitha i ngjan përvojës sonë me këngët popullore, të cilat kanë nga disa motërzime, ku ka dallime në nivele të ndryshme të vargjeve, që nga figuarat, personazhet, motivet e deri te metri, por që të gjitha motërzimet janë legjitime dhe konkurojnë barabarësisht, pavarësisht se vlerat e tyre nuk janë të njëjta.
“Sinkretizmi fetar” si relativizues moral
Kjo mënyrë e komunikimit dhe e vlerësimit nuk shtrihet vetëm në fushën e historisë e kulturës kombëtare, po edhe në nivelet e vogla të organizimit social, fetar, sportiv. Fjala vjen, jo pak shqiptarë ende festojnë ditën e Shën Gjergjit, ndërsa formalisht i përkasin fesë islame. Kjo mënyrë e bashkekzistimit të praktikave krejtësisht të kundërta, njëra pagane e tjetra islame, relativizon bindjet fetare dhe moralin. Këso bashkëjetesash të praktikave të kundërvëna, gjenden edhe në mesin e të krishterëve shqiptarë, fjala vjen, vajtimet e malësoreve për të vdekurit, që në esencë janë në kundërshtim me mësimet e krishtera. Po këso formash sinkretike gjenden edhe te bektashinjtë, në shtegtimet e tyre në Tomorr. Shembuj për këso bashkëjetesash të praktikave të kundërvëna, ka ngado që të hedhësh sytë në jetën shoqërore, politike, fetare, kulturore e shkencore të ne shqiptarëve, gjë që është mjaft ngulfatëse! Pse? Duke u sjellë me shekuj brenda të njëjtave skema, pa eliminuar praktikat e gabueshme e të tejkaluara, veçmas popujt e vjetër ngulfaten në veset, paragjykimet dhe zakonet e prodhuara nga ajo mënyrë e moseliminimit të gabimeve. Kombet evropiane, që nga periudha e Iluminizmit, e kanë tejkaluar praktikën mesjetare të stolisjes me reliket e eshtrave të të vdekurve, që ishte një praktikë shumë e përhapur në Mesjetë. Poashtu edhe mbajtja e urnave të të vdekurve në familje. Pra, janë eliminuar disa praktika dhe janë zëvendësuar me praktika e shprehi të tjera, racionale.
Ne shqiptarët në këto kontekste, pra, të eliminimit të hipotezave e sprovave të gabueshme, ende nuk jemi iluminuar plotësisht. E rëndë për ta thënë, më e rëndë për ta pranuar, por tmerrësisht e rëndë për ta bartur ende gjithë këtë nagtërresë nga e kaluara. Në këtë vorbull, as shkencat nuk kanë si të zhvillohen, pasi janë ende peng të sprovave të gabueshme, që paraqiten si të vërteta përfundimtare.
Fjalë Kryesore:

Të ngjashme