Liderët kosovarë duhet t’i ndërpresin këto lojëra politike, NATO-n, SHBA-në dhe BE-në e keni brenda

Prishtinë | 06 Mar 2022 | 08:45 | Nga Liri Loshi

Liderët kosovarë duhet t’i ndërpresin këto lojëra politike: jo jemi në rrezik nga Serbia, jo tërrta vërrta. Jo duhet me na pranu NATO menjëherë, se pastaj u bëka vonë, jo tërrta e vërrta! Kinse po dimë edhe na me ba politikë! Me e frikësu arushën me shoshë! Punoni qaty që jeta e qytetarëve të lehtësohet sadopak në këtë krizë globale. Hiçuni fjalëve të kota. Nuk mundeni ju me intrigu NATO-n, BE-në, apo SHBA-në që medemek me ua thye zemrën me viktimizim, kur NATO-n, SHBA-në dhe BE-në e keni brenda!

Edhe ndaj Ukrainës duhet me qenë të matur. Me i përkrahë simbolikisht dhe me shumë rezervë. Ukrainës i intereson AMERIKA dhe NATO, nuk i intereson fare Kosova. Edhe me u ndalë lufta sot, Ukraina nuk ka interes me e pranu Kosovën. Më shumë ka interes Rusia se Ukraina! Tash mos thoni se unë po e përkrah Rusinë! Se, atë më në fund nuk po e përkrah as Serbia. Kuptoni çfarë po them. Mirë është me qenë empatik ndaj popullit të Ukrainës për shkak të vuajtjes që ata po përjetojnë nga lufta, sepse vetë kemi përjetuar vuajtje të ngjashme. Kaq. Jo me investu më shumë sesa kemi interes politik prej asaj pune. Ata nuk kanë qenë empatikë me vuajtjen tonë.

Na jemi popull i varfër me i dhanë dikujt një milion euro, siç ka propozuar me megallomani PDK-ja. Sa euro na ka dhënë neve Ukraina kur kemi pasur nevojë? Asnjë. Në bazë të fuqisë që ajo ka pasur qenka dashur të na i dhuronte nja 3-40 milionë euro. Nëse jeni ba merak me lëshu dorën, jepjani një milion euro shqiptarëve të Preshevës. Është popull yni. Ata po vuajnë nga shovenizmi dhe nacionalizmi serb dhe kanë nevojë për ndihmën tonë politike e financiare. Shikojeni Izraelin. Presidenti i Ukrainës është jevrej dhe Izraeli nuk po ia ndalon fluturimet Rusisë, siç po bëjnë Evropa e SHBA-ja. A jemi ne më mirë me Amerikën sesa Izraeli? Jo. A jemi ne më të fortë se Izraeli? Jo. Veç jemi më servilë. A ka me e humbë Izraeli mbështetjen amerikane pse nuk po është në linjë me Amerikën? Sigurisht se jo. Atëherë, të mësojmë edhe ne nga të tjerët. Të mësojmë diçka (jo krejt, natyrisht) nga Izraeli. Studjo faktorët që të rrethojnë dhe nxjerr mësimet tua, interesin tënd, nëse do që dikush të të marrë seriozisht.

Na duhet me qenë të saktë dhe të sinqertë kur i identifikojmë ineresat tona dhe të jemi serioz e persistent deri në fund. S’ka rëndësi fare a pranohesh sot, neser, apo kurrë në NATO, BE, apo OKB. Ti duhet me i tregu botës cili (apo kush, sipas toskërishtës) është interesi yt, ku janë vijat tua të kuqe me Serbinë dhe me e ba të qartë kristal se ato vija nuk kalohen, as për me u pranu në NATO, as në BE e as në OKB. Sa më haptas, sa më qartë dhe sa më fuqishëm ta artikulosh interesin tënd, aq më afër realizimit të tij do të jesh.

Leni lojërat e grahni punës! Ukraina është problem global. Kosova nuk e ka luksin as fuqinë me u marrë me probleme globale. Keni aq shumë punë brenda, sa çdo minutë e humbur kushton miliona.

E bekoftë zoti së pari Kosovën time.
Së dyti e bekoftë Shqipërinë time dhe shqiptarët e mi në Maqedoni Veriore, në Mal të Zi e në Luginë të Preshevës.
Së treti, apo gjithnjë bashkë me neve Amerikën dhe NATON që na kanë çliruar dhe na kanë marrë në mbrojtje gjithnjë deri këtu.

Dhe së fundi: Slava Ukraina!

Të ngjashme