Liria nën okupim dhe detyrimet ndaj shtetit

Prishtinë | 05 Kor 2022 | 15:02 | Nga Afrim Kasolli

Kurrë nuk kemi qenë më të lirë se në kohën e okupimit nga Serbia. Shumë kujt ky konstatim do t’i duket absurd, i patolerueshëm, cinik dhe dashakeq ndaj shtetit të Kosovës, që u ndërtua më shumë mund dhe sakrifica.

Konstatim ky, që në të vërtetë nuk është origjinal, por bazohet në një sentencë të njohur të filozofit ekzistencialist francez Jean-Paul Sartr-it, i cili dikur pohonte se “kurrë francezet nuk kanë qenë më të lirë se sa gjatë okupimit nga Gjermania”

Me anë të këtij rrëfimi kontradiktor, ky mendimtar, mëtonte të nderonte të gjithë ata që luftuan dhe dhanë jetën, si pjesë e rezistencës kundër pushtimit gjerman, sepse sipas tij, vetëm në ato rrethana ekstreme, kur qeniet njerëzore zhvishen nga çdo e drejtë elementare, mund të verifikohet gjakimi i njerëzve për liri. Dhe këtë kategori e përbënin heronjtë, veteranët, luftëtarët dhe dëshmorët. Sepse, ata demonstruan një mospajtim epik me kushtet e robërisë. Nuk u adaptuan me rregullat e imponuara nga pushtuesi. Madje, në një rast tjetër, po ky filozof, pohon se si kur të pasqyrohej mirëfilli e vërteta për vitet e luftës, një pjesë e mirë e shoqërisë franceze do të turpërohej, për shkak të dobësive që demonstroi në atë kohë.

Kjo formulë, thuajse ka shtrirje universale, kudo ku shfaqen rrethana të të tilla. Sepse, vetëm në këto raste testohet gatishmëria e qenieve njerëzore, për të luftuar për këtë kauzë sublime. Kosova nuk bënë përjashtim nga ky rregull.

Edhe te ne, deshëm apo s’deshëm ta pranojmë, ata që u mobilizuan në radhët e UÇK-së, e formuan këtë pjesë vitale të kombit. Sepse, liria dhe lufta ishin sinonime në ato kohë. Të shpresoje se e para mund të vinte pa të dytën, nuk ishte asgjë tjetër, pos të jetoje në iluzione që do ta pamundësonin lirinë e gjallë dhe reale. Kështu shumë kush e zgjodhi pritjen. Rrethanat fatlume.

Ndërkohë, ishin pikërisht aksionet e atyre që u angazhuan në këtë rezistencë të armatosur, të cilët i hapën shtegun e atij procesi të madh historik që rezultoi në fund me fitimin e lirisë dhe shtetësisë.

Dhe ky rrugëtim e ka pikënisjen në veprimet e tyre heroike. Në shumëçka ato e mbartnin hijeshinë e imazheve të botës homerike. Ata nuk njihnin rregulla. Nuk pranonin urdhra. Autoritet suprem për ta ishte vetëm vullneti i tyre i pastër. Jo ai i pushtuesit. Në këtë mënyrë e jetonin lirinë e plotë. Nuk kishte struktura legale që e ndërmjetësonte botën e tyre “idilike”. Vetëm vdekja mund t’ua kufizonte këtë vullnet. Asgjë tjetër.  E tillë është natyra e heronjve, siç thotë Hegeli, ligji i tyre është vetvetja. Kanë edhe trille, shpërthime dhe instinkte, por janë pikërisht këto “impulse” mbi të cilën themelohen rende, shtete, shoqëri etj. Por, problemi është, vazhdon Hegeli, se “kur themelohet shteti, atëherë më nuk mund të ketë vend më për heronjtë” (Once the state has been founded, there can no longer be any heroes). Pra, tash është shteti⁹ dhe institucionet publike ato që e materializojnë vullnetin e shoqërisë. Është ky entitet “abstrakt” që e zë vendin e tyre, e për të cilin ata janë më meritoret që u krijua. 

Mirëpo, adaptimi me këtë proces prodhon edhe telashe. Ata që nga qenia e tyre e lëvizën historinë, tash e kanë të vështirë të pajtohen si gjithë të tjerët, me rrethanat dhe rregullat e reja shtetërore, institucionale, politike. Harmonizimi i këtyre realiteteve duale nuk kalon pa tensione.

Edhe shoqëri më tradita më të konsoliduara nuk është se janë imune plotësisht nga këto kundërthënie shoqërore. E aq më tepër Kosova, që ende nuk i ka mbushur dy dekada të plota shtet. Integrimi i kësaj kategorie, në kuadër të “kafazit” juridik dhe shtetëror, mbetet sfidë në vetvete.  Është në “natyrën” e tyre që pasi përfundon procesi të pushtohen nga tundimet për trajtim më të veçantë. Dukuri të tilla i ka shpjeguar në mënyrë brilante Arben Xhaferi.  Këtë “natyrë” e kishte nuhatur edhe Hashim Thaçi. Ai e dinte, se “rebelet” e dikurshëm kërkonin satisfiskasion sot, në mënyrë që të menaxhoheshin pa fërkime. Prandaj, edhe një pjesë të tyre filloi t’i rehatoi në institucione. U krijoi akses në jetën ekonomike. Duke i kënaqur dëshirat, pasionet dhe interesat e tyre, synonte ta kishte më të lehtë qeverisjen, etj etj. Ndërkaq, ky proces e ringjalli zemërimin e atyre që e patën preferuar pritjen. Sepse, sipas tyre tashmë po dëshmohet që pjesëtarët e UÇK-së nuk kanë luftuar për shtet, por për uzurpim të pushtetit dhe krijim të mirëqenies personale. Pajtohemi, aktet korruptive ishin evidente. Por ato nuk është se vetëm ata që dolën nga kjo trashëgimi u korruptuan. 

 Ndërkohë, zbulimi i kësaj hapësire të re për akomodim personal dhe familjar për këtë kategori prodhoi shtresëzime dhe dallime ekonomike edhe ndërmjet vetë luftëtarëve. Kishte nga ata që u dalluan nga të tjerët. Nga këto stratifikime lindën rivalitete tjera. Pra, ata që dikur ishin bashkë në një mision heroik dhe idealist për çlirim, u përçanë në liri për shkak të interesave partikulare ekonomike. Filloi një konkurrencë ndërmjet tyre për këto shtytje. Dhe pasojat e këtij procesi janë edhe sot prezente.

U zgjata pak në këtë rrëfim, vetëm sa për të tentuar të tregoj se “qenësimi” ndërmjet nostalgjisë për jetën heroike dhe detyrimeve shtetërore, shpeshherë shkakton incidente. Dhe të tilla, në Kosovë, në mes ish-ushtarëve të UÇK-së dhe autoriteteve publike, kanë ndodhur që nga përfundimi i luftës e deri te rasti i fundit i Nuredin Lushtakut që u konfrontua me forcat e policisë para pak dite. Ky i fundit ishte një nga luftëtarët e orëve të para të lirisë. Shembull tipik i karakterit heroik, që siç thashë, nuk pranojnë realitet tjetër pos vullnetit të tyre. Askush nuk mund t’ia mohoj këtë kontribut madhor për vendin edhe pas këtij rasti. Nëse jo ai, atëherë kusht tjetër i gëzon këto merita. Kurse për veprimet e tij tash e jep fjalën e saj gjyqësia.

Mirëpo, ky veprim në shikim të parë brutal, nuk është sjellja më anti-shtetërore që është demonstruar deri më tani, sic, po tentohet të paraqitet. Përkundrazi, janë manifestuar, sjellje shumë më anti-shtetërore, dhe atë në vazhdimësi, se sa ky reagim i çastit, i nxitur mbase edhe nën afekt. Me këtë nuk po e justifikoj sjelljen e Lushtakut. Ajo duhet të dënohet. Por pa satanizime morale. Dhe patetizëm spitullues. Sepse, shteti i Kosovës është dëmtuar, në mos më shumë, edhe nga ata që po shesin moral publik, por që e shpërdoruan atë duke punësuar motrat dhe dhëndurët e tyre, në shërbim diplomatik, vetëm për shkak të fuqisë së tyre politike. Ngase, në këtë mënyrë e tribalizuan idenë e shtetit. Nga një medium që duhet t’u shërbejë të gjithëve e tjetërsuan atë në instrument për akomodim të klaneve të tyre familjare.

Prandaj, që drejtësia të jetë e plotë, ajo nuk duhet t’i amnistojë edhe ata që po ashtu kryen veprime antidemokratike, por se këto i bënë në nën emrin e procedurave, në mënyrë të heshtur, pa u vërejtur, dhe pa spektakël, për dallim nga Nuredin Lushtaku dhe shokët e tij, që reagojnë nga nxitjet e momentit.  E tëra kjo për shkak të trashëgimisë së tyre dhe pamundësisë tragjike për t’u përshtatur si duhet me rrethanat e reja ku ai dhe tjerët duhet ta kuptojnë, se nëse qëndrimet e tyre mohuese ndaj çdo realiteti objektiv dikur ishin vendimtare në krijimin e shtetit, tash ato bien në kundërshtim me funksionimin normal të tij. Që të pajtohen me faktin se liria për të cilën ai dhe te tjerët luftuan, ka edhe rregulla dhe detyrime. Dhe se shmangia nga to i hapë rrugë anarkisë.

Të ngjashme