LVV po e humb fitoren në tavolinë

Prishtinë | 15 Jan 2020 | 22:07 | Nga Milazim Krasniqi

I. Shkalla e lartë e mosbesimit ndërmjet LDK e LVV po e bën të veten: LVV po e humb fitoren në tavolinë, LDK po hakmirret, për dhunën që ka ushtruar LVV kundër saj, kur Isa Mustafa ishte kryeministër.

Edhe nëse arrihet marrëveshje ndërmjet tyre, një gjë tashmë është e qartë:në të ardhmen partitë duhet të mendojnë dy herë para se të bëjnë veprime të pamenduara, sepse krijojnë mosbesim, ndërsa mosbesimi e rritë dëshirën për hakmarrje.

Pra, kjo që po ndodhë mes LVV e LDK nuk është politikë. Është qërim hesapesh, për një kontest të dikurshëm. (E marr me mend që militantat e LVV nervozohen prapë me mua, sepse nuk arrijnë ta kuptojnë realitetin. Ama, sinqerisht u them se kam pasë qejf ta merrte detyrën e kryeminsitrit Kurti, jo se besoj që do të qeveriste mirë, po për kurreshtje intelektuale.)

II. LVV ka çuditë dynjanë, kur është bllokuar nga një kërkesë e LDK-së, e cila kërkonte vetëm një zotim për presidentin, pas një viti. Në vend se ta formonte qeverinë shpejt e të fillonte zbatimin e programit, LVV u kurthua e u harxhua në atë kërkesë. Tentoi t’i bënte presion LDK-së, me gjojasondazhe, me luftë psikologjike e propagandë. Të gjitha ato veprime ishin gabim.

Si fitues i zgjedhjeve dhe si yll moral i politikës, Kurti do të duhej ta niste menjëherë qeverisjen. Nëse do të qeveriste me sukses, do t’i diktonte më lehtë kushtet për presidentin. Por jo kështu. Ata që e njohin LDK-në, e dinë se ajo edhe kur është e ngathtë dhe e hutuar, prapë është e pashantazhueshme.

LDK është e brymosur me idenë e misionarizmit rugovist. Nuk është mposhtur me dhunë, aq më pak mund të mposhtet me propagandë. Në fakt, ashtu ajo vetëm kompaktësohet.

Të ngjashme