Në Washington, “torta” u nda në 13 pjesë

Prishtinë | 27 Sht 2020 | 17:56 | Nga Liri Loshi

Një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë ka ndodh dhe aty nuk ka pasur thika. Në fakt, aty s’ka pasur një situatë ku do të nxirreshenin thikat. Pse? Sepse, nuk ka ndodh marrëveshja politike fare. Ka ndodh një zotim për projekte ekonomike që janë ideuar kryesisht nga qeveria serbe e ku qeveria kosovare ka pranuar që të mos e pengojë atë në këmbim të interesit të vet ekonomik. Mirëpo, ne mund të themi lirisht se në Shtëpinë e Bardhë ka pasur një tortë, e cila është ndarë me thikë. Jo me një aso thike që përgjakë njerëzit, por me një thikë të bukës që ndan edhe tortën. Torta është ndarë në 13 pjesë, ku 12 pjesë i ka marrë Serbia e një Kosova.

A ka fituar Kosova? Normalisht se ka pasur një përfitim në planin ekonomik, meqë do të thith disa nga investimet amerikane. Por përfitimet e Kosovës janë minimale në krahasim me ato të Serbisë, meqë Serbia përfiton 12 miliardë investime, kurse Kosova vetëm një miliard. Nëse e shtrojmë këtë temë ndryshe, Kosova përfiton aq para nga Amerika sa përfiton çdo vit rregullisht nga diaspora.

Me një thirrje mobilizuese që qeveria do t’i bënte diasporës, Kosova do të përfitonte një miliard investime pa fije problemi. Ndërkaq, Serbia nuk do të mund t’i siguronte 12 miliardë investime nga diaspora serbe e madje as nga Rusia, apo Kina! Pse? Diaspora serbe, edhe pse është pesë herë më e fuqishme se diaspora kosovare, nuk e ka sentimentin për Serbinë në shkallën që ka diaspora kosovare për Kosovën. Ajo është shumë më mirë e integruar kudo në botë ku ajo ekziston sesa diaspora jonë dhe Serbia nuk është interes i investimeve të tyre. Në anën tjetër, Serbia është e hapur për investimet ruse dhe kineze, por ato nuk investojnë në insfrastrukturën serbe. Jo që Rusia dhe Kina nuk kanë potencial investimi, por ato bëjnë investime të tilla vetëm nëse nga to krijojnë biznese kapitale që do të gjeneronin qindra miliona dollarë në llogari të tyre çdo vit. Ose, të shesin aeroplanë apo mjete tjera luftarake që kanë çmime të larta e nuk ua blen kush. Dhe së fundi, hezitimi i tyre për të investuar konsiston edhe në faktin se asnjëra nga këto dy shtete, megjithse të fuqishme ekonomikisht dhe ushtarakisht, nuk janë në gjendje për të siguruar fizikisht investimet e tyre, për shkak të dominimit ushtarak euro-atlantik në rajon, prandaj detyrohen të bëjnë llogari të sakta ekonomike para ndonjë investimi kapital.

Nëse bëhet fjalë për përfitime puro ekonomike, kjo duhej të llogaritej për kokë banori dhe nëse e shohim nga kjo prizmë, shtatë milionë serbë perfitojnë 12 milionë dollarë, kurse dy milionë kosovarë përfitojnë vetëm një milion dollarë. Raporti (sipas matematikës sime) po i bie diku 7:2, ose tre herë e gjysmë më shumë për Serbinë. Simbolikisht fitorja e Serbisë ndaj Kosovës është tetë me dy! Shtateshin po e ngris në tetë për shkak të simbolikës që nxjerr në dritë fituesin dhe humbësin e lojës.

A ka fituar Kosova? Në një kontekst të investimeve Amerikane në Kosovë, një miliard investime është fitore reale, por në kontekstin e një marrëveshje me Serbinë, përfitimi i Serbisë është maksimal, kurse i Kosovës është minimal. Sidoqoftë, bazuar se në faktin se kush e udhëheq Kosovën, pra njerëz që nuk nuk kanë provuar se dinë të hartojnë projekt-plane ekonomike joshëse për investitorët e jashtëm dhe që kanë vullnet vetëm për karrikë e hiç për zhvillimin ekonomik të vendit, Kosova ka përfituar më shumë sesa ka merituar.

Ne duhet ta kqyrim veten në pasqyrë për ta kuptuar se e kemi një problem të madh. Ky problem definohet kështu: Kosova ose nuk e ka në pushtet klasën politike që vërtet e meriton, ose Kosova nuk e meriton të jetë shtet i pavarur! Sepse, Kosova deri këtu mbijeton vetem falë përkujdesjes se diasporës, Evropës dhe SHBA-ve.

Të ngjashme