Nga “Civis Romanus sum” në “Ich bin ein Berliner!” në “Unë jam Mitrovicali”

Prishtinë | 09 Nën 2021 | 11:11 | Nga Besa Ismaili

“Shumë njerëz në botë që nuk e kuptojnë apo thojnë se nuk e kuptojnë ku është dallimi mes botës së lire dhe asaj tjetrës. Le të vijnë në Mitrovicë, [që të kuptojnë më mirë]. Disa të tjerë thojnë se kjo tjetra është ndryshimi, vala e së ardhmes. Janë fare pak, që thojnë se kjo është një qeverisje e dëmshme porse e ka një shkallë të përmirësimit dhe zhvillimit ekonomik… le të vijnë në Mitrovicë edhe ata [që të kuptojnë më mirë].
Për lirinë ka vështirësi dhe demokracia nuk është perfekte, por demokracia nuk ndërton mure. Dhe se demokracia do të gjallërohet vetëm kur këto mure të bien…”– kështu do të fliste për Mitrovicën sot, po të kishte një Xhon Kenedi atje dikund, i cili e kupton rrezikun e murit, prerjeve dhe ndarjes.

32 vite nga rënia e Murit të Berlinit dhe 22 vitet e mureve të Mitrovicës

Del se më lehtë bashkohet nje etni e ndarë në dy shtete si Gjermania sesa që dy etni të bashkohen në një qytet si Mitrovica, apo më keq, dy etni në një shtet si Kosova.

Por ky rrezik ka një rrëfim: kur rrënoheshin muret gjetiu, ato ndërtoheshin në Mitrovicë madje përmbi urë. Në kohën kur ekzistonte Muri i Berlinit, thuhet se në botë ekzistonin gjithsej 15 mure të tilla, ndërsa sot ekzistojnë rreth 70 sish.

Janë bërë si shumë mure sot, të pakapërcyeshëm dhe të neveritshëm. Ato kanë tëkurrur hapësirën e njerëzve dhe toka është sot më e vogël se kurrë. Jemi shumuar, nuk po na zë, dhe ne vetëm po zihemi me njëri tjetrin! Me ndërtimin e mureve nuk po mbajmë jashtë tjetrin, dhe as nuk mbrohemi. Krejt për çfarë po ekzistojnë muret është të na burgosin dhe të konfirmojnë paaftësitë tona, hipokrizitë tona.

Më kujtohet një ditë gjatë shetitjes nëpër Berlin në dhjetor 2004, kur miku im Joerg Luenegurg më pati thënë: “Muri që nuk po e sheh ti më, jeton ende në mendjet e njerëzve këtu… sepse kështu ndodhë kur njerëzit bashkëjetojnë gjatë me muret.”

Në qytetin e ndarë të Mitrovicës, qytetarët aty bashkëjetuan goxha gjatë me murin. Shteti i Kosovës ka 22 vite që bashkëjeton me atë ‘mur’.
Për më keq, ‘muri’ i Urës së Ibrit në Mitrovicë , Muri që ndanë veriun e Kosovës me Kosovën, mirëmbahet në Prishtinë. Tej murit janë krijuar dhe çeli, ku qytetarët janë ndarë e dallohen edhe përbrenda tyre: nga anashkalimi në pakot e rimëkëmbjes, tek përkujdesja gjatë pandemisë, tek pagesa shumë milionëshe e rrymës, tek mospërfshirja në buxhetin shtetëror, etj. Qeveria e Serbisë vazhdon të përkujdeset për qytetarët serbë të Republikës së Kosovës, Republika e Kosovës vazhdon të mos përkujdeset për qytetarët shqiptarë të Republikës së Kosovës.

Që nga fushata nacionale e 14 shkurtit 2021, atëherë kur ‘murin’ e legjitimonin tek ndarja fizike tek Lagja e Boshnjakëve (LumBardh), dhe jo më lart, Albini dhe Vjosa, as nuk i vizituan qytetarët më!

Ndërkohë që për mure famkeqe ka nis e po thërret Brukseli dhe Uashingtoni, atje mungon një ‘ Xhon Kenedi’ nga mesi i tyre që t’u thotë mos e bëni.

E neve sot po na mungojnë edhe çlirimtarët dhe burrat e këtij shteti. Derisa po mungon Kadri Veseli i Mitrovicës, i cili është në burg, pushtetarët e sotëm heshtin për Mitrovicën. Nuk kanë bërë ata as përpjekjen më të vogël për integrim. Përkundrazi. Edhe ata tashmë sikur e kanë ndërtuar një tjetër mur për hallet e qytetarëve atje. Edhe ata po mendojnë që ky mur dhe veshtë-në-lesh-ja e tyre për problemin e hapur të veriut do t’i mbrojë nga veriu. Jo.

Sepse, viu viu vazhdon të fryjë Veriu. Dhe ai do të rrënoj pushtete jo vetëm në Prishtinë dhe Beograd, por edhe më larg.

Të ngjashme