Një shoqëri demokratike e vendos të Mirën në qendër të ekzistencës së vet

Tiranë | 29 Pri 2019 | 14:13 | Nga Edmond Tupja

Prej kohësh dihet se njeriu është një qenie njëherazi biologjike dhe shoqërore. Dihet gjithashtu se njeriu, si qenie shoqërore, ka një ndërgjegje që nuk resht së pasuruari e stërholluari, falë zhvillimit të vetë shoqërisë nga të gjitha pikëpamjet – ekonomike, kulturore, shkencore etj, etj. – në gjirin e së cilës ai evoluon që nga fillimet e qytetërimit, pra duke nisur pak a shumë nga dhjetë mijë vjet më parë.

Nga ana tjetër, pavarësisht se është civilizuar, njeriu ruan në thellësi të nënvetëdijes disa prirje instinktive, të cilat, kur ndrydhen gjatë nën trysninë e ligjeve, të rregullave e të kufizimeve të nevojshme për një bashkëjetesë të harmonishme në komunitet, mund të kthehen në agresivitet, margjinalizim e devijim nga normat etike, falë të cilave njerëzimi administron drejtpeshimin e ekzistencës së tij. Në këtë moment lind problemi i raportit midis së Mirës e së Keqes brenda shoqërisë dhe, detyrimisht, brenda vetë individit, si pjesë përbërëse e kësaj të fundit.

Në këtë aspekt, jo vetëm fetë monoteiste, por edhe filozofia, e mbështetur te shkencat humane, si: sociologjia e psikologjia, pa harruar psikanalizën, e vënë theksin te liria e njeriut si nocion themelor, pa të cilin problemi i raportit midis së Mirës e së Keqes nuk do të gjente kurrë veçse zgjidhje të pjesshme e të përkohshme.

Historia e njerëzimit dëshmon që një shoqëri përnjëmend demokratike e vendos të Mirën në qendër të ekzistencës së vet sipas parimit “liria e njërit mbaron atje ku fillon liria e tjetrit” me synim harmonizimin e interesave vetjake të individit me interesin e përgjithshëm të saj. Në këtë kuadër, një shoqëri e tillë bën çmos – përmes mekanizmave të saj edukues, arsimorë e kulturorë – që të promovojë vlerat më të mira shpirtërore të gjithë subjekteve të saj pa dallim klase, feje, botëkuptimi e race, si drejtësia, ndershmëria, respekti për njëri-tjetrin, dashuria për punën, solidariteti me më të dobëtit – jetimë, invalidë, handikapatë – e me pakicat e llojeve të ndryshme, mobilizimi kundër diskriminimeve e përjashtimeve.

Promovimi i këtyre vlerave shpirtërore mbështetet gjithashtu te respektimi i diferencave sipas parimi të njohur “Të ndryshëm, por të barabartë” dhe, në këtë drejtim, toleranca dhe bamirësia shfaqen si dy prej mjeteve më të efektshme për të forcuar e përforcuar atë që quhet kohezion social.

Në shekullin XVIII, shekulli i ndriçimit të mendjeve në Francë, ndër filozofët më të njohur, Volteri mëtonte se njeriu lind i keq, por shoqëria mund ta përmirësojë deri diku, Rusoi se ai lind i mirë, por shoqëria e prish, kurse Didëroi se ai nuk lind as i mirë e as i keq, por bëhet i tillë në shoqërinë ku nis të jetojë.

Shoqëria e sotme – ajo demokratike, e emancipuar dhe tolerante, falë koncepteve dhe praktikave të saj, i jep, me sa duket, më shumë të drejtë Didëroit: në një sërë vendesh të zhvilluara, si vendet nordike të Europës apo Amerika e Veriut, e Mira vlerësohet nga shoqëria, kultivohet nga individi dhe mbrohet nga shteti, pra funksionon, anipse përballet hera-herës me të Keqen.

(Botuar në Revistën “Psikologjia”)

Të ngjashme