Nuk është faji i Kurtit e Osmanit që LDK-ja sot garon për vendin e tretë me AAK-në

Prishtinë | 08 Jan 2021 | 20:38 | Nga Liri Loshi

Sipas sondazheve më të reja, Vetëvendosja arrin 41 për qind të votuesve hiç pa diasporën. Me diasporën ka shumë gjasa që të arrijë 51 përqindëshin. LDK-ja vetëm 15 për qind, do me thënë tre herë më pak! Sikur LDK-ja ta menaxhonte më mirë raportin me Vetëvendosjen, sot do të garonte kundër saj për vendin e parë e jo sikur tash me AAK-në e Ramushit për vendin e tretë! Kjo është një humbje e madhe.

Nuk është vetëm marrëzi, por është edhe poshtërsi e të gjithë atyre që fajin për këtë degradim të LDK-së ia atribuojnë Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes. Nuk ishte tendencë e Kurtit për ta shkatërruar LDK-në, por ishte tendencë e LDK-së me një aleancë të gjerë me partitë tjera për ta shkatërruar Vetëvendosjen. Këtë e kemi parë me sy, kur në mënyrë komplotiste-puçiste u rrëzua qeveria Kurti. Tani LDK-ja nuk ka altërnativë tjetër pos rrokullisjes teposhtë pa ditur se në cilin gurë a cung do të ndalet.

Po ashtu, është absurde të fajësohet një person, në këtë rast një grua për theqafjen që po perjeton LDK-ja. Hajde po themi se Albini dhe Vjosa ishin dhe janë të përcaktaur ta shkatërrojnë LDK-në (sipas Baton Haxhiut), po gjithë ata burra dhe gra, gjithë ata intelektualë “akademikë” të LDK-së ku ishin e ku janë karshi këtij agresioni?!

Lerni qufuret! Edhe mua mund të më akuzojë dikush se po luftoj për shkatërrimin e LDK-së, ndërkohë që hap pas hapi po jap parashikimet e mia se çfarë do të ndodh. Dhe, për fat të keq, ato parashikime po realizohen. Athua kam gisht unë në realizimin e tyre?! Edhe degradimin e PDK-së e kam paraparë. Edhe ata mund ta akuzojnë gishtin tim! Por jo, fakti është se me politikat e kqija qeverisëse në rend të parë dhe me politikat jo parimore ndaj kundërshtarëve politikë, së dyti, të dy këto parti, dikur të mëdha e të fuqishme, po e humbin peshen dhe dimensionet e tyre.

Sidoqoftë, e bukura e demokracisë është kjo se ti fiton edhe kur të gjithë të tjerët punojnë kundër teje. Kjo po ndodh me Vetëvendosjen si parti dhe kjo po ndodh me Vjosa Osmanin si individ.

LDK-ja pas humbjes katastrofike s’ka qare pa u ndal dhe me e analizu humbjen. Dhe, s’ka rrugë tjetër pos të marrë masa ndaj të gjithë atyre që e sollën në këtë gjendje. Ndaj Vjosa Osmanit nuk mund të ndërmarrin masa pos linçimit dhe denigrimit të vazhdueshëm që po i bëjnë, sepse Vjosa më nuk është në dorën e tyre.

LDK-ja ende ka kohë që ta shpëtojë veten dhe të mbetet parti e fuqishme. Si? Duke caktuar përgjegjësinë e lidershipit të vet për gjendjen e saj dhe duke nadermarrë masa adekuate. Jo më shumë, as më pak se të njejtat masa qē do t’i ndërmarrë pas humbjes që e ka të sigurtë si bukën. Pse mos ta bëjë tash një gjë që e shpëton partinë sot, kur mund të shpëtohet, por ta bëjë neser kur nuk mund të shpëtohet?!

Mos më quani mua armik të LDK-së! Nuk jam. Unë partitë politike i konsideroj si shtylla të shtetit tim larg të cilit jetoj me dashuri e mall. Dhe, në asnjë qast nuk kontriboj që ato shtylla të kollabojnë, sepse e dua progresin e shtetit dhe jo rrenimin e tij. Tingëllon absurde, por unë i dua partitë politike më shumë se sa i duan liderët që i udhëheqin ato. Pse? Sepse, liderët e tyre kanë interesa meskine dhe kjo është verifikuar disa herë deri më tash. Unë nuk kam asnjë interes nga asnjë parti politike e Kosovës. Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin i mbështes vetëm si protagonsitë të ndryshimit, për asgjë tjetër. Pra, jo për të marrë funksion eventual politik a diplomatik, siç flitet e pëshperitet teposhtë e përpjetë nga llafazanët dhe shpifësit.

Të ngjashme