Që nga formimi, Qeverinë Kurti e kanë karakterizuar një sërë skandalesh, sidomos në fushën e politikës së jashtme

Prishtinë | 13 Mar 2022 | 16:13 | Nga Afrim Kasolli

Që nga formimi i qeverisë Kurti 2, shumë kush është habitur mbi cilësinë e dobët të ministrave që i pat emëruar kryeministri. Madje disa oponentë të tij politikë e quajtën përbërjen e ekzekutivit si “qeveri praktikantësh”, të papërvojë në administrimin dhe drejtimin e detyrave shtetërore. Kishte nga ata që pohuan se Kurti, nuk kishte zgjidhje tjetër. Se përcaktimi i tij për këtë përbërje, më shumë se shprehje e vullnetit të tij personal, ishte rezultat i kufizimeve të tij. Kështu ai u detyrua të arnohet disi me atë brumë që e kishte në dispozicion. Me njerëz inkompetent dhe pa asnjë cilësi të spikatur politike. Mjafton vetëm të shihen reagimet e ministres së Ekonomisë, në kulmin e krizës energjetike dhe shihen qartë këto deficite të ekzekutivit.

Në anën tjetër, që nga formimi, këtë qeveri e kanë karakterizuar një sërë skandalesh sa i përket performancës së saj edhe një sfera tjera, sidomos në fushën e politikës së jashtme. Gabime këto që nuk mund t’i falen asnjë studenti të vitit të parë të diplomacisë e lëre më një zyrtari shtetëror. Ato kanë qenë aq të shpeshta sa është vështir të listohen të gjitha. Sepse, sjellje të tilla tashmë janë bërë normë bizare e këtij dikasteri qeveritar. Seria e këtyre skandaleve kulmoi me zëvendës kryeministrin Besnik Beslimi, i cili u zu si thotë një fjalë popullore me “presh për dore”, kur u denoncua për rrenat e tij, nga zëvendës Sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Bjorn Borge. Diplomati evropian me anë të një reagimi në llogarinë e tij personale, dëshmoi se përshkrimi që i kishte bërë Bislimi përmbajtës së takimit nuk kishte qenë korrekt. Me të drejtë, kjo aferë ngjalli një reagim të fuqishëm publik. Sepse sjellja të tilla ishin një atak për seriozitetin e shtetit në arenën ndërkombëtare.

Por, edhe pas këtyre aferave, Kurti nuk ndërmori asnjë veprim për të provuar të paktën për të sanuar dëmet e bëra nga këto veprime “infantile”. Ndonjë shkarkim, zëvendësim apo rotacion në kabinetin qeveritar. Ai u soll thuajse s’ka ndodhur asgjë. “Business as usual” si thotë një sentencë angleze. Dhe vazhdon të shfaqet komod me përbërjen e kabinetit të tij qeveritar.

Amnistimin që kryeministri, po ua bënë gabimeve të tilla nga vartësit e tij, ka të atillë që e vlerësojnë edhe të motivuar nga qëllime strategjike. Sepse, në këtë mënyrë, ai ka mundësi ta ruajë supermacinë e tij politike dhe konceptuale me ata që i ka afër. Atij i konvenojnë njerëz me këtë profil të ulët. Ngase, vetëm në këtë mënyrë mund ta bëjë dallimin dhe të shfaqet si mbi të tjerët. Bie fjala, sikur në kabinetin e tij të ishte ndonjë ministër i punëve të Jashtme me profil të spikatur diplomatik ai do të shkëlqente si brenda vendit ashtu edhe në arenën ndërkombëtare. Dhe kjo do të ishte sfidë për imazhin e Kurtit. Apo ndonjë individ me përvojë të pasur në negociata, në vend të leshkos Besnik Bislimi, i cili të vetmen përvojë që e ka deri më tani në këtë sferë, mund të jenë, siç thuhet, negociatat që i ka zhvilluar me një lider të një partie tjetër për t’ia shkruar programin ekonomik të formacionit të tij politik, përsëri do të ndikonte që kryeministri të mos ndjehej komod.

Shpjegime të tilla nuk mund t’i mohoj. Sepse, Albin Kurti, sikur shumica e politikanëve tjerë, nuk mund të jetë imun nga shtytje të tilla psikologjike. Pra, me rëndësi për të është mbi-pranimi dhe mbivlerësimi qoftë edhe nga mediokër. Dhe kjo mani ka prodhuar jo pak pasoja në politikën tonë që nga përfundimi i luftës e këndej. Në vend të afirmimit të vlerave profesionale edh meritokratike, serviliteti, nënshtrimi, militantizmi dhe lojaliteti ndaj personit në vend të shtetit, kanë shërbyer si certifikatë për avancim në karrierë. Madje, këtë sëmundje e kishte detektuar shumë kohë më parë polemisiti i madh i kulturës shqiptare, Faik Konica, kur thoshte se “mjerimi i shqiptarëve ka qenë në tërë kohërat të kapej pas individëve dhe jo pas ideve… Historia e Shqipërisë është e mbushur fund e krye me prova të tilla të përngjashme.”

Mirëpo, krahas këtyre pandehmave, ekziston edhe një faktor tjetër, që po ashtu mund të jetë vendimtar i cili ndikon se pse Kurti nuk brengoset dhe trazohet nga skandale të tilla. Madje, ai as nuk i konsideron ato të dëmshme për interesat shtetërore. A nuk ka pohuar ai shpeshherë se “Lëvizja i ka qëllimet e mira dhe është në rrugë të drejtë”. Mund edhe “të bëjmë gabime, por me rëndësi janë qëllimet fisnike”. Kurse, “ata që nuk janë në lëvizje, mund edhe të jenë profesional, por i kanë qëllimet e liga dhe nuk ndodhen në rrugë të drejtë”, pavarësisht përgatitjes së tyre akademike dhe shkollore. Sepse, nuk ka një të vërtetë tjetër më të qëndrueshme, se ajo që prodhohet nga militantizmi partiak. Po ashtu, edhe ata që nuk kanë qenë në organizatë, por me kalimin e kohës i janë bashkuar asaj, pavarësisht gabimeve që kanë bërë në të kaluarën, me këtë akt e kanë fituar shpëtimin shpirtëror, beatifikimin personal dhe janë çliruar nga mëkatet dhe pellgu i veseve ku kishin qenë të zhytur deri në atë kohë. Tani edhe për ata janë hapur dyert e parajsës. E kanë kapërcyer pragun e purgatorit, rrjedhimisht , as ata s’mund të jenë gabim.

Janë fantazmagori të tilla që fqinjërojnë me imazhet e një bote mitiko-ideologjike, mbase njëra prej arsyeve që e përcaktojnë qëndrimin e Kurtit, se pse i toleron dhe mirëkupton këto gabime nga vartësit e ti dhe jo vlerësimet e pjesës tjetër të shoqërisë që nuk është e infektuar nga ngarkesa të tilla ideologjike. Pra gabimet e tyre që janë në nën direktivat e tij, janë shumë më pak të dëmshme se sa atyre që nuk janë as në Lëvizje. Prandaj edhe kritika e tyre nuk ka asnjë ndonjë relevantë, sepse bëhet nga një pozicion i gabuar shoqëror, politik dhe ideologjik.

Marshimi i kësaj fryme, mbase tregon më mirë se asgjë tjetër, se pse politika kosovare ka stagnuar tash e sa kohë në një rreth vicioz. Ngase është kjo mendësi që e sforcon lojalitetin për partinë më shumë se atë për shtetin. Dhe e afirmon kriterin e përkatësisë grupore mbi çdo vlerë tjetër. Kjo edhe është arsyeja që pavarësisht ndryshimeve formale, realisht nuk po ndodh asnjë ndryshim serioz. Pra, kanë ndërruar referencat, por jo kursi i drejtimit të shtetit. Kështu për dallim nga e qeverisjet e kaluara ku lidhjet okulte biznesore dhe familjare, çfarë edhe e patën shndërruar Kosovën në një republike fisnore, shërbenin si kriter për rekrutim politik, shtetëror dhe institucional, sot ato janë zëvendësuara me një formë tjetër, atë të përvetësimit të qëllimeve të drejta dhe fisnike që i përcakton partia dhe lideri. Për aq kohë sa je brenda kësaj skeme, kurrë nuk mund te jesh gabim.

Të ngjashme