Qeveria shtyp bizneset e vogla, forcon bizneset e mëdha

Prishtinë | 18 Mar 2020 | 00:33 | Nga Gëzim Kelmendi

Qeveria e Kosovës para disa ditëve mbylli të gjitha bizneset e vogla përveç ushqimoreve, furrave dhe institucioneve shëndetësore, ndërsa lejoi tubimet e mëdha si dasmat, turmat e mëdha të shkaktuara nëpër markete për miell, dalja në grupe në pikniqe dhe grupimet e organizimet tjera.

Bizneset e vogla që nuk kanë ma shumë se 1 apo 2 të punësuar dhe nuk kanë shumë klientë gjatë ditës, nuk paraqesin rrezik për shëndetin publik.

Po këto biznese sot po e paguajnë çmimin e lartë.

Këto biznese e kanë mbajtur gjallë ekonominë e vendit duke ndihmuar familjet e tyre, duke ndihmuar shtetin me taksa dhe duke ndihmuar edhe të tjerët?

Ndërsa sot këto biznese po e paguajnë çmimin e një politike populliste dhe të gabuar.

Kush po fiton më së shumti në këtë situatë?

Përfituesit më të mëdhenj janë marketet e mëdha që shumica e tyre janë ngushtë të lidhur me partitë politike në Kosovë.

Këto markete po e shfrytëzojnë këtë situatë duke rritur çmimet dhe duke bërë tregti jo të ndershme.

Mos të harrojmë se bizneset e vogla në Kosovë pas luftës gjithmonë kanë qenë viktimë e qeverisjeve të kaluara.

Qeveria aktuale po vazhdon traditën e qeverive të kaluara duke shkelur të voglin dhe duke përkëdhelur të madhin.

“Çdo gjë këputet prej së holli, veç zullumi këputet prej trashi”

Presidenti, kryeministri dhe ministrat dalin para medieve duke u munduar me marrë poena politikë, e “luftëtarët” kryesorë mjekët dhe infermierët që po luftojnë në vijën e parë të frontit me COVID-19, i kanë lënë pa “armatim” në shumë vija të frontit.

Presidenti, kryeministri dhe ministrat as dy hapa nuk i bëjnë pa vetura luksoze e pa roje, drekat e darkat ditore të tyre kushtojnë sa paga mujore e mjekëve dhe infermierëve.

(Autori është kryetar i partisë Fjala)

Të ngjashme