Sfidat e Republikës së Kosovës në politikën e jashtme dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare

Prishtinë | 18 Pri 2020 | 15:43 | Nga Ekonomia Online

Shkruan: ma. Genc Mekaj

Ndërtimi i një politike të jashtme të mirëfilltë është një nga detyrat më të rëndësishme për shtetin e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë. Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës formulon dhe zbaton politikën e jashtme të Kosovës. Kosova përmes Ministrisë së Jashtme, politikat nacionale, kulturore dhe ekonomike i promovon dhe i mbron në rrafshin ndërkombëtar.

 Republika e Kosovës synon një politikë të jashtme aktive, e cila duhet të jetë në përputhje me synimet e popullit të Kosovës për integrime euro-atlantike, ruajtjen dhe forcimin e lidhjeve me vendet mike, thellimin e marrëdhënieve të mira me vendet e rajonit, si dhe arritjen e statusit të një partneri të besueshëm në luftën kundër kërcënimeve të sigurisë ndërkombëtare.

 Sfidat e politikës së jashtme të Republikës së Kosovës janë; avancimi i Kosovës drejtë pozicionit ndërkombëtar, përkrahja e sovranitetit nga ana ndërkombëtare, njohja nga sa më shumë vende të botës. Gjithashtu, Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës ka prioritet të rëndësisë së veçantë anëtarësimin e plotë të vendit në organizatat dhe institucionet kryesore financiare ndërkombëtare dhe rajonale, sipas prioriteteve, si; Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, etj. Kosova ka të nisur procesin dhe fushatën diplomatike për anëtarësimin e Kosovës në OKB, OSBE, KE. Republika e Kosovës ka prioritet dhe qëllim të përhershëm anëtarësimin e vendit në BE dhe NATO.

 Politika e jashtme e Republikës së Kosovës i shërben realizimit të aspiratave të popullit të Kosovës për ta bërë Kosovën anëtare të respektuar të familjes së shteteve të pavarura dhe demokratike (BE).

 Republika e Kosovës synon që në arenën ndërkombëtare, t’i kontribuojë ndërtimit dhe forcimit të një rendi ndërkombëtar, të bazuar në marrëdhënie miqësore në mes të popujve e shteteve, respektim të vlerave të lirisë dhe dinjitetit njerëzor dhe parimeve të demokracisë. 

Zhvillimet në politikën ndërkombëtare janë shumë dinamike dhe intensive për këtë duhet të merret parasysh dhe kapaciteti i shtetit me qëllim të ndërtimit të një strategjie të përgjithshme veprimi në politikën e jashtme.

 Orientimi i përgjithshëm strategjik i politikës së jashtme të Kosovës është:

1.  Konsolidimi i shtetit të Kosovës

2 . Zhvillimi i bashkëpunimit rajonal

3. Integrimi në strukturat euro-atlantike

4. Zhvillimi i mëtejshëm i marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës

5. Forcimi i vazhdueshëm i marrëdhënieve me shtete me peshë globale ose rajonale

6. Promovimi i interesave ekonomike të Republikës së Kosovës në botë.

Objektivat e saja Ministria e Republikës së Kosovës i ka ndarë në: Të përgjithshme, strategjike dhe objektivat afatshkurtra.

Duke u bazuar në ato që u ceken me lart, Republika e Kosovës synon që të tejkaloj me kohë këto sfida me qëllim të arritjes së rezultateve në rrafshin ndërkombëtar.

Të ngjashme