Si ta refuzosh Grenellin, pa e lënduar!

Prishtinë | 08 Mar 2020 | 12:48 | Nga Kimete Berisha

Së pari, bëhu xhentil, i butë e i urtë.

Le ta sheh Grenelli se nuk je kundër tij. Sillu kishe ke tremë kur e shikon n’sy, sillu inferior, paraqitu kishe po të tremb superioriteti dhe perfeksionizmi i tij.

Shko te Enver Petrovci, merri prej tij dy-tri orë mësim se si me aktru keqardhjen pa e ndje.Mos përdor fjalë faji. Mos e adreso fajin. Jo ky ka faj, jo ai ka faj, Jo ti ke thënë, jo Ai ka thënë, e veç unë s’kam faj. Thuaji Jo me keqardhje, por jo me fjalë. Thuaji: Më vjen shumë keq. E mos i thuaj “Jo”.

Është me rëndësi jetike që Grenelli m’u ndje mbret edhe kur refuzohet.

Përgatitu në kundër-reagimin e tij. Mundet me qene reagim obsesiv, se ky mendon për veten se është i përkryer.

Por mos ia ushqe zemërimin. Thjesht mos fol. Nëse puna e Petrovcit ka dhënë efekt, pak lot s’kishin prish punë në këtë rast, ama loti s’bën kurrqysh me dal prej syri e me rrjedh se atëherë kalon në sfera tjera.

Mos i thuaj ‘Jo’ në telefon, por thuaja sy më sy.

Sepse, ia jep atij mundësinë me ta pa keqardhjen n’hundë, rrudhe hundën nëse ta lejon anatomia e saj, por mos i ço vetullat, thjesht merr pamje t’Poemës, kur ia refuzon marrëveshjen për ‘ndarjen e Kosovës’.

Pra, duhet të shihet se Ty po të vjen shumë keq që po e refuzon Grenellin, por tregoji se ka keqardhje mbi keqardhje, prandaj ty pak më keq po të vjen me ‘nda Kosovën’.

Ti nëse mundesh tinëz me nervozu, pa fjalë, pa gjeste, që me ja bë punën me ta hi shuplakë, s’kish pas t’pagunë, por dyshoj se mundesh, po ti provo, konsultohu me naj ‘gru’, se burrat thonë se janë do gra (perfide u thonë) që pa e çel gojën, pa lënë gjurmë, të plasin, i kanë do varianta ato, që din me ta ba punën me marrë malin.

Grenelli është Virgjëreshë në zodiak, si Pacolli dhe Nana Terezë.

Mos harro: virgjëreshat janë të obsesionuara nga nevoja për me qenë të përkryer, dhe janë të obsesionuar nga frika se në çdo moment mund të ndodh më e keqja, prandaj shfrytëzoje rastin n’mujsh me tut me naj togfjalësh të shkurtë.

Tregoja naj legjendë, naj rast se si njani kish pas dasht me pre me sakicë trungun e arrës së Kosovë, e masandej e kish pas vra Zoti. Thuaji se si je në ankth se një krijesë, si Zoti më ka thënë në ëndërr mos e ndaj Kosovën se e nxan taksirati Grenellin, kurrë s’bahet rahat. Tute, se trupi i tij është pushimore e frikës obsesive.Grenelli është ‘i pavendosur’, ankohet shumë dhe bën zhurmë veç pse ndjehet se nuk po ia pranojnë se është ‘i përkryer’.
Po ja pranojnë veç pse është pedant, por kjo nuk i mjafton. Se me qenë pedant e ka obligim ndaj botës, a që është i ‘përkryer’ nuk ja ka borxh askujt.

Pra, ti mos harro, shqetësimi i tij më i madh është me qenë i përsosur, dhe nga këtu buron sjellja e tij kompulsive dhe bezdisëse.

Siç të këshillova më lart, thuaji: Ti je perfekt, por marrëveshja është joperfekte, që do të thotë nuk të them Ty -jo (mos e bo Zo) por marrëveshjes.

Kush kish thënë se nga një njeri i përkryer si Ti del një marrëveshje jo e përkryer.

Në fund, ai të fshin nga Twiteri dhe ta bllokon numrin e telefonit.
E ti nëse ke ndërgjegje, shkon ja paguan honorarin Enver Petrovcit.

P. S. E nuk i numërohen Amerikës “gabimet”, sepse si gjetje është e dështuar. Çka fiton kur ia numëron dikujt “kabahatet”? Kurrgjë hiç, veç e nervozon më shumë.

Shembujt e së kaluarës janë të papërdorshëm.

Pse e përdor stupcin si mjet refuzimi, kur e ke artin që të ndihmon me refuzu bukur, me stil.

Për refuzime ‘estetike’ më keni mua, eksperte, e jo ato tre mashkujt e VV që i përmenda dje, e që ata e tutin edhe arushën, jo Grenellin.

Nënvizo: Personi që të ‘refuzon’ duhet m’u duk i butë dhe me plot respekt. Me të mërzit me butësinë e tij, me të lodh aq shumë me mirësinë e tij, sa me falenderu Zotin që po të hiqet qafe ai farë ‘budalle’.

Të ngjashme