Sot nuk është koha për të kërkuar audiencë…

Prishtinë | 01 Dhj 2019 | 14:31 | Nga Lutfi Dervishi

Gjëja e fundit që ka nevojë publiku këto ditë janë tonet alarmiste, klithmat dhe shqetësimet e tepruara që vijnë përmes ekranit.

Sot më shumë se kurrë në studiot televizive kërkohet qetësi, kthjelltësi, aftësi për të parë tablonë e përgjithshme dhe për të mos zmadhur gjethen deri në atë pikë sa të mos shikohet pylli.
Sot më shumë se kurrë në studio duhen ekspertë që dinë mirë vetëm një gjë dhe jo gjithologë që i dinë të gjitha.

Sot më shumë se kurrë duhen pyetje të thjeshta, të mençura dhe që synojnë vjeljen e informacionit dhe jo komente/opinione “unë mendoj se..”.

Sot më se kurrë duhet përcjellë zëri i njerëzve në nevojë duke e vënë përballë autoriteteve, ngo-ve, vullnetarëve. E vërteta duhet thënë duke parë të gjitha palët e mundshme.
Gazetarët janë dhe duhet të jenë të parët që respektojnë ligjin dhe kushtet e sigurisë. Askujt nuk i duhen heronjtë që nuk mund të raportojnë.

Klithmat dhe tonet alarmante në studio që deri më sot janë përdorur për të thithur audiencë nuk sjellin as informacion, as zgjidhje, as shpresë!

Sot është koha jo për të kërkuar audiencë, por për t’u kujdesur për të!

Të ngjashme