Vrasjet nuk i ka bërë UÇK-ja, por individët

Prishtinë | 17 Sht 2021 | 14:25 | Nga Liri Loshi

Gjykata Speciale e nisi gjykimin e të pandehurve për vrasjen e shqiptarëve nga shqiptarët, apo për vrasjet puro politike mes shqiptarëve. Këto vrasje nuk i ka bërë UÇK-ja, por individët. Disa nga këto vrasje pretendohet të jenë kryer gjatë lufte e më shumë të tjera pas lufte.

Në vijën komanduese të UÇK-së, asnjëherë nuk ka pasur një urdhër për vrasjen e njerëzve. Ka pasur urdhëra vetëm kundër agresorit serb, pra urdhëra për mbrojtje nga pushtuesi. Prandaj, kushdo që të ketë devijuar objektivin e qartë të UÇK-së, nuk mund të fshehet pas UÇK-së! Pra, as ata që eventualisht kanë vrarë njerëz të pafajshëm dhe as ata që prapa shpinës së UÇK-së mund të kenë krijuar linja të veçanta komandimi!

Gjykata Speciale nuk po e gjykon UÇK-në, por po gjykon individët që pretendohet se në emër të UÇK-së kanë bërë krime. Në Hagë nuk po gjykohet UÇK-ja, por kërkohet e vërteta që iu intereson të gjithve, me përjashtim të kriminelëve. Pa u gjetur e vërteta nuk mund të ndahet drejtësia.

Mirëpo, nuk duhet ngutur me përfundime të parakohëshme ndaj të akuzuarëve. Askush nuk është fajtor pa u provuar faji në gjykatë. Për këtë arsye është moral dhe etikë e lartë njerëzore e deshmitarëve me deshmu të vërtetën dhe e të akuzuarve me e pranu atë. TË VËRTETËN DHE VETËM TË VËRTETËN.

Njeriu që jeton për të vërtetën, ia vlen edhe të vdes për të vërtetën. Burgu nuk është vdekje. Është purgator i botës reale për t’i pastruar mëkatet e jetës. Vdekje për së gjalli është me e bartë mbi supe peshën e krimit.

Të ngjashme